Mësime komunikimi nga Revolucioni i Flamingove

Javën e kaluar, bëra një provë. Postova në profilin tim në Facebook një pjesë nga podcast i Mira Kazhanit me Brunela Mërtirin, vajzën simbol të Revolucionit të Flamingove. Teksa në Instagram çdo gjë që postoj lidhur me protestën merr shumë shikueshmëri e pëlqime, në Facebook, siç nuk kishte ndodhur kurrë, nuk pata asnjë reagim të vetëm. E pritshme për mua, edhe krejt në favor të saj që po përpiqem t’ju shpjegoj sot: mësimet që po na jep kjo seri protestash, jo për mjedisin, as për vetë flamingot… por për komunikimin.
Në Shqipëri politikën unë e shoh kështu: njëri ende sillet si një televizor i vjetër bardh e zi, ku informacioni jepet nga lart-poshtë, pa kthim përgjigjeje, pa debat, pa ndërveprim. Pastaj vjen një televizor me ngjyra, që duket më modern, më i hapur, më i gjallë, por ende mbetet një ekran ku publiku vetëm shikon. Të bindur se kanë të drejtën për të marrë vendime, televizorët përballen me njëri-tjetrin, mendojnë se ekspertiza e tyre tashmë shumëvjeçare e tejkalon nevojën për të biseduar, për të bërë qytetarët pjesëmarrës, e madje teksa mbajnë njëri-tjetrin në pazarin e pajisjeve që prodhojnë e përhapin veç mendimin e vet, harrojnë se përballë tyre tashmë ka dalë diçka tjetër: smartphone-i. Kjo pajisje nuk është më vetëm ekran, por është hapësirë ndërveprimi, reagimi, krijimi dhe shpërndarjeje. Ata që komunikojnë politikën sot në shoqërinë tonë vazhdojnë të mendojnë si televizori. Kanë bindjen se mund të japin çdo informacion kur të duan, si të duan, pa hyrë në debat, pa hyrë në bisedë. Me bindjen se ekspertiza e tyre e tejkalon pjesëmarrjen publike, ata kujdesen që të informojnë në mënyrën e tyre, me gjuhën që ata njohin.
Zonja e zotërinj me mendjen e kuadratuar si një TV… të rinjtë nga Revolucioni i Flamingove po na kujtojnë të gjithëve se politika nuk funksionon më kështu. Ndoshta ju nuk po e kuptoni fare çfarë po bëjnë të rinjtë… më falni, kjo nuk ka të bëjë me moshën, ka të bëjë me mendjen tuaj të mbyllur. E them këtë duke besuar se, p.sh., Hannah Arendt, filozofja e shekullit të shkuar, do ta kishte krejt të qartë. Ajo kuptoi më mirë se kushdo tjetër se liria nuk është thjesht mungesa e shtypjes apo mirëqenia ekonomike. Ajo na mësoi se liria është hyrja në hapësirën publike, ku njerëzit flasin, veprojnë dhe bëhen pjesë e vendimmarrjes. Zotërinj të politikës, edhe ju që rrini nëpër studio televizive, ju nuk po dini të dëgjoni; këtë jua vënë në pah të rinjtë çdo ditë.
Kjo mungesë dëgjimi është bërë një formë e re humbjeje në komunikim. Një hendek midis atyre që flasin nga pozita e “televizorit” dhe atyre që jetojnë në realitetin e “smartphone-it”. Të rinjtë, fatmirësisht, nuk e konsumojnë më botën si një ekran pasiv. Ata nuk duan thjesht të shikojnë. Ata duan të reagojnë, të krijojnë, të ndërhyjnë, të flasin mbrapsht. Ata nuk e duan më televizorin si metaforë të komunikimit. Ata kanë gjuhën e tyre, mjetet e tyre dhe, sado mos të na vijë mirë disave prej nesh, ata kanë edhe mënyrën e tyre të të kuptuarit të botës. Flamingoja që ata zgjodhën si simbol është në fakt një formë komunikimi që kalon nga kultura pop te protesta, nga ironia te shqetësimi, nga loja te politika serioze, mes kritikës dhe humorit, mes alarmit dhe lehtësisë së komunikimit. Dhe këtu më ndjeni për sinqeritetin: çdo përpjekje për t’i kopjuar, në rastin më të mirë, është thjesht patetike. Një flamingo rozë komunikon më shumë se qindra deklarata zyrtare, sepse flet me emocionin dhe jo vetëm me argumentin. #nomorepropaganda… nuk e “hanë” më të rinjtë. Këta të rinj nuk janë të mësuar të thonë “faleminderit” kur informohen pasi vendimi është marrë; nuk e quajnë këtë transparencë. Për ta, transparenca nis pa u marrë vendimet, kur ata pyeten e përfshihen. Ata nuk janë domosdoshmërisht brezi #metyderisavdekjatenandaje; ata e pranojnë më lehtë një humbje sesa një përjashtim.
“Për herë të parë pas shumë kohësh, një protestë qytetare në Shqipëri nuk po flet me gjuhën klasike të militantizmit apo solemnitetit politik. Ajo po flet me ironi, me humor, me meme, me një estetikë që vjen nga rrjetet sociale dhe kultura e përditshme. Gjuha e të rinjve sot nuk kërkon të imponojë veten, kërkon të përhapet. Dikush duhet t’u thotë xhaxhallarëve e tezeve në ekranet televizive… në epokën e rrjeteve sociale fiton jo ai që flet më shumë, por ai që krijon simbolin më të kuptueshëm dhe më të shpërndarë.
Kjo lëvizje po rikujton diçka që Arendt e kishte thënë prej kohësh. Ajo shtjellonte se, “në rastin më të mirë, revolucioni demonstron aftësitë njerëzore për t’u dhënë jetë në mënyrë genuine gjërave krejt të reja përmes aksionit krijues individual të qenieve njerëzore. Është pikërisht manifestimi politik më i spikatur i lirisë njerëzore”. Politika lind kur njerëzit shfaqen në hapësirën publike dhe bëhen të dukshëm për njëri-tjetrin. Sot kjo hapësirë nuk është vetëm sheshi. Është edhe telefoni. Është edhe Instagrami. Është edhe TikToku. Është edhe një flamingo e vizatuar në një pankartë. Revolucioni i Flamingove tashmë i ka bërë një nder të madh kulturës shiqptare dhe jetës politike të saj. Ai ka ekspozuar një problem të thellë të kohës sonë: një krizë komunikimi mes atyre që ende mendojnë si televizor dhe atyre që jetojnë si smartphone. Ndoshta pikërisht këtu fillon politika e re: jo te zëri që flet më fort, por te aftësia për të dëgjuar dhe për të hyrë në gjuhën e tjetrit pa tallje, pa përçmim, pa injorim. Ky brez mbase nuk i ka përgjigjet e duhura, por me siguri ka pyetjet që vlejnë. Për të nisur një bisedë me ta, hapi i parë nuk është të flasësh më shumë. Është të kuptosh gjuhën e tyre.