Intervista për Fabio Fazio-n/ Ylli i Milanit, Andriy Shevchenko: Futbolli më ka shpëtuar jetën

Andriy Shevchenko, ish-ylli i skuadrës së Milanit ka qenë i ftuari special i “Che Tempo Che Fa”, ku foli mbi librin e jetës së tij. Shevchenko ka botuar librin autobiografik “Forza Gentile: La mia Vita, il mio Calcio”. Në të përshkruan rrugën e vështirë që ndoqi nga Ukraina në Itali, fëmijërinë jo dhe aq të bukur, përshtatjen me vendin e ri, humbjen në rrugët e Milanos, të mësuarit me recetat italiane, me miqtë dhe lojtarët e tjerë të skuadrës.
Në libër, Shevchenko tregon edhe për ditën e tij të dasmës, të pazakontë, celebrimin e bërë në mes të një loje golfi me vjehrrin e tij.

Intervista me gazetarin Fabio Fazio:
Sheva: Jam përpjekur të shpjegoj sado pak emocionet e mia. Kam treguar gjërat që kanë ndodhur në jetën time. Mua futbolli më ka shpëtuar. Kam dashur t`i shpjegoj gjërat fiks siç kanë ndodhur, si kanë arritur deri këtu.
Fazio: The që futbolli të ka shpëtuar, si të ka shpëtuar?
Sheva: Lidhet me fëmijërinë time, e kam treguar edhe brenda librit, me kohën e Bashkimit Sovjetik, kur gjërat në Ukrainë nuk ishin mirë, nuk po shkonin siç duhej, gjendja nuk ishte e qendrueshme, falë futbollit dhe besimit që kisha tek vetja, ia dola të dilja nga ajo rrugë. Shumë nga shokët e mi nuk ia dolën.
Fazio: Një nga miqtë e tu, Paolo Maldini, thotë që Shevchenko nuk mund të ngatërrohet me asnjë kategori. Sheva është Sheva. Dhe e thotë Maldini që ka qenë idhulli yt. Kështu shkruan ti në libër.
Sheva: S`di ç`të them. Këto fjalë janë shumë për mua. Kam pasur fatin të punoj dhe të gjykohem nga njerëz të mëdhenj si Kaka, Pirlo, Gatusso. Kanë qenë përveçse lojtarë, edhe njerëz shumë të mirë. Kur luaja me Ukrainën dhe ishte përballë Italisë kam menduar për Maldinin, ç`është ky monstër kështu. Shumë i fuqishëm. E dija kush ishte, thjesht mendoja përbrenda.
Fazio: Të duan të gjithë, kolegët, miqtë, fansat, si shpjegohet?
Sheva: Thjesht jam përpjekur të jem vetvetja.
Fazio: Historia jote fillon në 5 nëntor të 1997-ës, kur ishe 21 vjeç dhe i shënove tre gola Barcelonës në shtëpinë e vet. Në këtë kohë, Milani po të vëzhgonte, se e dinte që mund të të blinte?
Sheva: Po, por unë nuk e dija këtë. Ka qenë një mbrëmje e mrekullueshme për mua dhe për skuadrën gjithashtu.
Fazio: Në libër ka edhe faqe tragjike ku ti shkruan se bota nuk ka parë një pjesë të jetës tënde, veç asaj të futbollit. “Bota jonë duket ndryshe për njerëzit nga larg”, shkruan ti kur tregon se shpërthimi i Çernobilit të 1986-ës ka ndodhur vetëm 150 km larg shtëpisë tënde dhe se 35 vite më vonë ti e mban mend mirë atë ditë, çdo detaj. Dhe tregon gjithçka që të ka ndodhur më pas.
Sheva: Për fat kam ende memorie të mirë. Sigurisht që e mbaj mend mirë. Nuk e di a e keni parë dokumentarin, për pas shpërthimit të parë, dihej që gjendja do të përkeqësohej. Me shumë mundësi do të shpërthente e gjitha. Ndaj u vendos që të gjithë fëmijët të hiqeshin nga shkolla dhe të çoheshin larg. Kam qenë 9 vjeç, nuk i kisha mbushur 10. Unë isha me fat se motra ime ishte gjatë gjithë kohës pranë meje. Kaluam mirë ato tre muaj. Unë isha fëmijë alegro, plus isha mirë. Luanim shumë sport atje, ishim mirë me shëndet, kështu që nuk i kam përjetuar keq ato tre muaj.
Fazio: Pastaj shkruan që me rrogën e parë ke blerë një televizor dhe një video regjistrator për familjen tënde. Më pas rrëfen disiplinën me të cilën të mësoi trajneri yt Valeriy Lobanovskyi. Ka qenë thuajse një baba për ty dhe ndaj ti e quaje kolonel.
Sheva: Mendoj që filozofia e tij ishte e duhura për të fituar lojërat, për të qenë konkurrues. Ishte e mahnitshme disiplina që na dha.
Fazio: Tek Milan pastaj ishte gjithçka ndryshe, gjërat ishin ndryshe, kishte tjetër ritëm?
Sheva: Jo, nuk është e vërtetë sepse kampionati është shumë më shumë kompetitiv. Mënyra e stërvitjes po, teknika ishte ndryshe, por intensiteti ishte më i madh.
Fazio: Pastaj nise të ambientoheshe me Milanon.
Sheva: Po, mësova dialektin e tyre. Bëra shumë miq pastaj.
Fazio: Në fakt rrije gjithmonë i shoqëruar se mund të humbisje i vetëm në makinë.
Sheva: Po, Milano është i madh.
Fazio: Albertini (Demetrio) të ka mësuar të gatuash recetat italiane: rizoto milaneze, kotoleta.
Sheva: Fiks, ka ardhur në shtëpinë time dhe më ka bërë kurs të kuzhinës së shpejtë. Dhe pastaj i ka ngrënë të gjitha vetë.
Fazio: Je akoma i fiksuar pas kotoletës?
Sheva: Po.
Fazio: Ke takuar edhe Berlusconi-n që të ka quajtur lojtarin perfekt? Të përkufizon si një engjëll, me flokë biondë të shkurtër me mjekër.
Sheva: Po, presidenti donte ta përfaqësonim sa më mirë. Kemi kaluar shumë mirë. Na ka vënë shtëpinë e tij të pushimeve në dispozicion. Njëherë na kishte vënë kusht. Nëse bëja 25 gola do mund të shkonim tek vila me pushime. Unë bëra 24 në fakt, por ai u tregua i sjellshëm, edhe për hirin tim. Kaluam 10 ditë atje. Provuam diçka ndryshe.
Fazio: E di cila është ajo gjë që më ka habitur në librin tënd, fakti që ke vënë vetëm një fotografi.
Sheva: Atë ditë unë kisha bërë një lojë shumë të keqe. Ai kishte besuar tek unë. Dr. Galliani kishte besuar shumë dhe erdhi një ditë pastaj që unë fitova. E shpërbleva besimin e tij. Milan nuk ishte një skuadër, ishte një familje. Ka shkruar një pjesë të historisë së futbollit, por mbi të gjitha të rëndësishëm kanë qenë njerëzit brenda skuadrës. Mua, por edhe çdo lojtar të ri që vinte e trajtonin si ta kishin të familjes.
Fazio: Ke luajtur zëre se gjithë jetën me Milanin, mendoj që ëndrra jote është edhe ta stërvitësh një ditë këtë skuadër?
Sheva: Të shikojmë. Sigurisht, do të ishte maksimumi.
Fazio: Nëse ndodh, do vish sërish këtu si i ftuar?
Sheva: Të premtoj.
Fazio: Mësove gjuhën me dialekt, por edhe detaje të tjera. Je veshur si italian. Me Armani. Të kanë ndodhur gjëra të bukura gjatë jetës, madje të kanë vënë edhe në pasarelë të sfilosh. Po sidomos prej Armanit ke njohur edhe gruan tënde, Kristen.
Sheva: Po, ka qenë një mbrëmje e organizuar nga Giorgio Armani dhe aty kam njohur gruan.
Fazio: Unë lexova librin dhe mezi e besova që je martuar teksa luaje golf me vjehrrin tënd, babain e Kristen.
Sheva: Futbolli ishte i preferuari im si gjithmomnë ëë, por po. Ashtu ka ndodhur. Kristen ishte shtatzënë me djalin e parë. Kampionati sa kishte mbaruar. Kishim diskutuar do bëjmë apo jo ceremoni dasme. Nuk donim të bënim ndonjë organizim të madh. Dhe vendosëm të bënim diçka të shpejtë. Do i kushtonim më shumë kohë dhe rëndësi pushimeve të gjata të dy bashkë.
Fazio: Po, por pas celebrimit teksa luaje golf, vazhdove lojën me vjehrrin?
Sheva: Po, mbyllëm lojën se nuk dallohej kush do fitonte, loja s`kishte marrë drejtim, pastaj hëngrëm drekën. Në fund fitova unë, si gjithmonë.