Aktualitet

4 milionë euro për koncertin e Kanye West në Tiranë! Kryeministri: Ndërhymë për të mos u turpëruar me ata që blenë biletat

Ka ngjallur reagime të forta në rrjet shuma prej 4 milionë eurosh për reperin amerikan Kanye West, i cili pritet të vijë në Tiranë.

Ka edhe nga ata që kërkojnë hetim për përdorimin e këtij fondi.

Disa media aludojnë se kryeministri po kërkon t’i paraprijë situatës, për të mos u turpëruar me ata që kanë blerë biletat.

Kanye West është një reper i njohur amerikan dhe ish-bashkëshorti i Kim Kardashian.

Stadiumi ku do të mbahet koncerti i tij është ngritur në Kashar.

Më poshtë, komenti i Ramës.

"Dështakzemërakët e bashkuar, për ta kthyer në kos për urinë e tyre për pushtet e për lavdi, rrjedhën e pastër të ujit të protestës së flamingove, i janë turrur deri edhe koncertit unikal të Kanye West.

Ish-a që u larguan nga detyra të larta me shumë zemërim e pa lavdi; humbësa që hynë në zgjedhje si zgalema e dolën nga zgjedhjet si kalastrena; turlilloj foltoristash të rizhgënjyer, pëdëistash të rigënjyer, arqimarksistash të rrjetëzuar, islamistash të tiktokëzuar, shkelësa ligji të frymëzuar, janë bërë bashkë si një kore e zezë e protestës dhe nuk ndalen në ndotjen e kanaleve sociale, me shpifje, falsifikime, manipulime, sharje pa pushim, urrejtje për t ushqyer urrejte, verbëri për të ushqyer verbëri, ndaj kujtdo që e shikojnë si pengesë e gjithckaje që i penogn ta shikojnë veten në një karrige.

Një gënjeshtër me bisht, me bisht akrepi madje, e sajuar për të pickuar e për të helmuar mendjen e kujtdo që përjeton me konfuzion këtë çorodi.

E vërteta është si gjithnjë e thjeshtë dhe e ilustrueshme me dokumenta.

Që në fillim ne kemi firmosur vetëm një letër gatishmërie si mikpritës, ku kemi garantuar përvec mikpritjes sigurisht, siguri dhe mbështetje logjistike, duke theksuar se nuk marrim përsipër asnjë angazhim financiar. Asnjë angazhim financiar!

Por si i bëhet kur je i detyruar “in extremis”, të ndërhysh siç bëmë faktikisht vetëm mbrëmë, me 4 milionë euro, për të mos lejuar anulimin e një koncerti të shumëpritur dhe turpërimin e Shqipërisë, në rradhë të parë para atyre dhjetëra mijëra blerësve të huaj të biletave, të cilët janë më shumë sesa tifozët e huaj që erdhën në Tiranë për finalen e Conference League”, tha Rama.