Çfarë kanë të përbashkët Bill Clinton, Steve Jobs dhe Tony Blair? Edhe ata që i simpatizojnë edhe ata që nuk i pëlqejnë duhet të pranojnë se këta njerëz janë karizmatikë dhe dinë që të fitojnë zemrën e publikut. Liderët karizmatikë frymëzojnë masat që t’i ndjekin dhe njerëzit u janë besnikë dhe punojnë fort për tu siguruar që ikonat që i frymëzojnë të fitojnë zgjedhjet ose të arrijnë sukses në cilëndo fushë në të cilën ata operojnë.
Pyetja që shtrohet në këtë rast është se çfarë e bën një lider realisht karizmatik? Të jesh një individ simpatik në pamje dhe në sjellje influencon njerëzit në vendin e punës dhe në rrethin shoqëror, por për të qenë realisht karizmatik duhen zotëruar një sërë aftësish. Studiuesit dhe sociologët kanë përcaktuar se simpatia mbështetet më së pari tek komunikimi qoftë ky verbal ose i shkruar. Përdorimi i batutave pikante dhe të zgjuara, i metaforave dhe shprehjet e fytyrës apo trupit e lejojnë njeriun të përcjellë emocione dhe të “veshë” idenë që do të përcjellë me elementë stilistikë për tu bërë tërheqës për bashkëbiseduesin apo lexuesin.
Pikë së pari mesazhi që përcillet duhet të japë besim dhe për të arritur këtë nevojitet një folës me vetëbesim. Ajo që e bind dëgjuesin që ka të bëjë me një njeri me vetëbesim është kontakti me sy. Shikojeni bashkëfolësin drejt në sy dhe mos ngurroni të buzëqeshni. Lejojini edhe të tjerët të flasin për veten e tyre dhe mos i ndërprisni. Në këtë mënyrë ata do ndihen të vlerësuar dhe do priren tu respektojnë më tepër. Bëjuni pyetje personale për t’i njohur më mirë dhe tregohuni empatikë me problemet dhe shqetësimet e tyre.
Të sillesh në mënyrë të tillë ka shumë benefite. Njerëzit të cilin fitojnë besim tek një individ karizmatik me kalimin e kohës influencohen gjithnjë dhe më tepër nga ai dhe e mbështesin në kohë më të vështira kur ai e ka më tepër të nevojshme. Sipas studimeve të kryera nga Universiti i Luzanës, nuk është e nevojshme të jesh atraktiv fizikisht për të qenë karizmatik. Sjellja dhe qëndrimi me njerëzit i vesh individët me sharmin e të qenit lider dhe frymëzim.
Në sipërmarrjet e mëdha është gjithmonë esenciale që menaxheri të gëzojë këto cilësi, pasi në mungesë të një drejtimi të duhur rendimenti i punës dhe fitimet bien vazhdimisht, ndërkohë që një biznes që drejtohet nga një individ që frymëzon ka gjithmonë sukses dhe inovacion.
A mund të trajnojmë veten për të qenë më tepër karizmatik? Natyrisht, që disa njerëz e kanë të lindur dhe spontanisht dinë sesi të sillen, mund të themi se kanë çelësat e suksesit. Megjithatë, ka edhe mënyra sesi ne mund të trajnohemi për të qenë individë më të pëlqyeshëm dhe më të ndjekur. Pikë së pari duhet përmirësuar retorika jonë. Natyrisht kjo kërkon lexim librash dhe ndjekje e vazhdueshme të debatave politike. Për të qenë karizmatik duhet zotëruar e folura, pra të jetë e pasur me anekdota, kontraste të dhëna dhe pyetje retorike. Kur themi diçka duhet të jemi të bindur moralisht për vërtetësinë e deklaratës sonë dhe këtë bindje ta përçojmë edhe tek dëgjuesi. Duhet t’i vendosim vetes objektiva të vështirë për tu arritur dhe të mos kënaqemi me përfitimi të vogla dhe meskine si rehatia financiare, apo një vend i sigurt pune.
Shembulli më konkret historik është kryeministrja e parë femër e Mbretërisë së Bashkuar, Margaret Thacher e cila zotëronte një teknikë të përkryer të folure që i bindte ndjekësit e saj se kishte të drejtë dhe sot është një nga figurat më të celebruara historikisht në Britani. Fjalimet e saj ishin plot metafora, pyetje retorike, histori humoristike, kontraste dhe referenca nga librat.
Megjithatë, përdorimi i duhur i fjalëve është i pamjaftueshëm. Nevojitet edhe që të zotërojmë atë që njihet si “gjuha e trupit” që përbëhet nga shprehjet e fytyrës, gjestikulacioni me duart dhe tonaliteti i zërit. Është tejet e rëndësishme që të dimë të ruajmë tonin e duhur të zërit për të përcjellë konotacionin e duhur të mesazhit dhe të përmbajtjes së asaj që po përcillet.
Ky është një nga shkaqet pse Hillary Clinton është dukshëm më pak karizmatike se bashkëshorti i saj Bill. Ndryshe nga ai, Hillary ishte më e ftohtë dhe stoike në komunikimet e saj dhe nuk dinte të shfaqej njerëzore tek masat e njerëzve dhe ndoshta fakti që ajo dukej si e stisur, ose e inskenuar në sjelljet e saj i shkaktoi humbjen e zgjedhjeve, përballë një rivali shumë më origjinal dhe padyshim karizmatik si Donald Trump.
Trump e përcillte idenë se është i pakopromentuar, njerëzor dhe flet nga zemra dhe ashtu siç u vërtetua, mbështetësit e tij i qëndruan besnikë edhe kur shpërtheu skandali i ofendimit të femrave, tre javë përpara zgjedhjeve edhe pas sulmeve të shumta mediatike. Trump frymëzoi besim dhe komunikoi si i barabartë me masat amerikane.
Natyrisht, jo çdokush lind për tu bërë president, por secili prej nesh do të mund të përmirësonte komunikimin për të qenë një koleg model, një mik i mirë dhe pse jo një lider i vërtetë qoftë në rrethin shoqëror apo edhe në politikë. K.H/ tiranapost.al