Stil jete

E ke pyetur ndonjëherë veten: Çfarë ndodh nëse nuk e vendos telefonin në avion gjatë fluturimit?

Sa herë që avioni nis ngritjen, një nga njoftimet e para që dëgjojmë është: “Ju lutemi vendosini pajisjet elektronike në modalitetin avion”. Por a e ke pyetur ndonjëherë veten çfarë ndodh realisht nëse harron ta bësh këtë?

Për shumë vite është krijuar ideja se një telefon i pambyllur mund të shkaktojë menjëherë probleme serioze për avionin. Në realitet, teknologjia moderne e avionëve është shumë e avancuar dhe sistemet e saj janë të ndërtuara për të përballuar shumë ndërhyrje të mundshme. Megjithatë, kërkesa për të aktivizuar “airplane mode” nuk është pa arsye.

Kur telefoni qëndron i lidhur me rrjetin celular, ai vazhdimisht kërkon antena tokësore për të ruajtur sinjalin. Në lartësi të mëdha, telefoni mund të mos gjejë një kullë pranë dhe përpiqet të lidhet me disa antena njëkohësisht. Kjo krijon më shumë komunikime radio që, në raste të caktuara, mund të shkaktojnë ndërhyrje në pajisjet e komunikimit të ekuipazhit.

Nuk do të thotë se avioni do të humbasë kontrollin apo se një telefon i vetëm do të shkaktojë një katastrofë. Por në një avion me qindra pasagjerë, ku shumë pajisje elektronike transmetojnë sinjale në të njëjtën kohë, kompanitë ajrore preferojnë të eliminojnë çdo burim të panevojshëm ndërhyrjeje.

Ka edhe një arsye tjetër: bateritë. Kur telefoni përpiqet vazhdimisht të gjejë rrjet, harxhon më shumë energji. Kjo do të thotë se mund të mbetesh pa bateri më shpejt, pikërisht kur mund të të duhet për të bërë një telefonatë pas uljes apo për të përdorur dokumentet elektronike të udhëtimit.

Sot shumë avionë modernë ofrojnë Wi-Fi dhe disa lejojnë përdorimin e telefonave gjatë fluturimit përmes teknologjive të kontrolluara nga vetë avioni. Pra, telefoni nuk është “armik” i fluturimit, thjesht duhet të përdoret në mënyrën e duhur. Edhe nëse nuk do ta vendosje "në avion", gjithsesi internet nuk do të kishe.