Aktualitet

19-vjeçarja që dhunoi adoleshenten në Fier sfidon edhe gjykatën, ofendon gazetarët gjatë mbërritjes

Vajza 19-vjeçare, e arrestuar pas dhunës brutale ndaj një adoleshenteje në Fier, ka vijuar sjelljen sfiduese edhe në momentin e paraqitjes në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.

E shoqëruar nga efektivët e Policisë për seancën e verifikimit të masës së sigurisë, Lionela Lamaj është filmuar duke ofenduar dhe sharë gazetarët që prisnin në hyrje të gjykatës, pa shfaqur asnjë shenjë pendese për ngjarjen që ka tronditur opinionin publik.

Pamjet janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale dhe kanë rikthyer debatin mbi dhunën mes të rinjve, por edhe mbi mungesën e reflektimit të autorëve të akteve të tilla, edhe kur përballen me drejtësinë.

Ngjarja në Fier shkaktoi reagime të forta pas publikimit të videove ku një vajzë e mitur dhunohej nga bashkëmoshataret e saj, ndërsa të tjerë filmonin skenën pa ndërhyrë.

Seanca në Gjykatën e Fierit pritet të vendosë mbi vijimin e masës së sigurisë ndaj 19-vjeçares, ndërsa hetimet për ngjarjen vazhdojnë.