Politikë

Bushati: Protestat i dhanë Shqipërisë imazhin që nuk e blen asnjë koncert

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, ka reaguar për debatin e krijuar rreth protestave dhe koncertit të Kanye West, duke kritikuar përdorimin e parave publike për organizimin e një eventi të tillë. Ai vlerëson se protestat e javëve të fundit i kanë dhënë Shqipërisë një imazh ndërkombëtar që, sipas tij, nuk mund të ndërtohet me asnjë koncert.

Bushati shtron pyetje mbi prioritetet e qeverisë, duke kërkuar llogari për financimin e një artisti privat në një kohë kur vendi, sipas tij, përballet me sfida të rëndësishme ekonomike dhe sociale.

Shënimi i Bushatit:

Në një shoqëri demokratike njerëzit janë të lirë të bëjnë zgjedhjen që mendojnë se është më e mira për ta. Debati i stisur mes protestës dhe koncertit është përçarës dhe joproduktiv. Shqipëria ka nevojë edhe për protesta edhe për koncerte.

Dritat dhe hareja e një koncerti zgjasin pak, krahasuar me protestat disa javore që i kanë dhënë Shqipërisë një imazh ndërkombëtar që nuk ka para e koncert që e krijon. Një imazh, që pasqyron shpirtin e gjallë të një shoqërie që ngrihet në këmbë e lufton me dinjitet për vendin e vet.

Shqetësues është fakti që politika nuk po reflekton ndaj shqetësimeve serioze që paraqet protesta, duke thelluar hendekun me popullin. Protesta që filloi si zemërim për aksesin në tokë e plazh dhe ruajtjen e trashëgimisë së përbashkët natyrore është shndërruar në një frymë më të madhe që ka të bëjë me thelbin e demokracisë. Në atë se kush e si duhet të vendoset për të ardhmen e Shqipërisë.

Pyetjet nuk duhet të shtrohen nëse je me koncertin apo me protestën, pasi janë dy anë dhe jo dy pole, siç duan t’i trajtojnë brigadat digjitale.

Pyetjet që kërkojnë përgjigje kanë lidhje me thelbin e sistemit qeverisës që duam të ndërtojmë: Pse duhen shpenzuar paratë publike për argëtim, ndërsa vendi përballet me probleme më të mprehta ekonomike e sociale? Pse shqiptarët duhet t'i japin miliona euro një kompanie private dhe një një artisti që nuk kontribuon në zhvillimin kulturor të vendit? Edhe sa kohë do ta trajtojmë kulturën si spektakël?

Në këto kushte, përvetësimi politik dhe financimi me paratë tona i koncertit merr rëndësi përtej koncertit dhe emrit të artistit. Pasi zbulon një model të vjetëruar qeverisës.

#Shqipëriameritonmëshumë