Italia drejt refuzimit të Bordit të Paqes të Trump / Corriere della Sera: E pengon Kushtetuta

Italia pritet të mos i përgjigjet pozitivisht ftesës së presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për t’u përfshirë në të ashtuquajturin “Bordi i Paqes”. Sipas gazetës Corriere della Sera, arsyeja kryesore lidhet me kufizimet kushtetuese që e pengojnë kryeministren Giorgia Meloni të marrë një angazhim të tillë në emër të shtetit italian.
Në qendër të çështjes është neni 11 i Kushtetutës italiane, i cili parashikon se Italia mund të marrë pjesë në organizata ndërkombëtare që synojnë paqen dhe sigurinë, por vetëm “në kushte barazie me shtetet e tjera”. Sipas Corriere della Sera, ky parim nuk përputhet me strukturën dhe funksionimin e Bordit të Paqes, siç është propozuar.
Megjithëse Meloni pritet të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, media italiane raporton se ajo është gjithnjë e më e vetëdijshme se nuk mund të nënshkruajë në emër të Italisë për pranimin në këtë bord, pavarësisht kostos së parashikuar për anëtarësim.
Një pengesë shtesë lidhet me procedurat institucionale. Ratifikimi i çdo marrëveshjeje ose traktati ndërkombëtar kërkon miratimin e Parlamentit përmes një ligji të zakonshëm, proces që, sipas burimeve të cituara, nuk mund të realizohet brenda afateve kohore në dispozicion.
Sipas Corriere della Sera, kjo çështje u diskutua gjatë një takimi të zhvilluar së fundmi nga kryeministrja me zëvendëskryeministrat Matteo Salvini dhe Antonio Tajani, si edhe me ministrin e Mbrojtjes Guido Crosetto.