Aktualitet

Lola Gjoka, eleganca mbi tastierën e pianos

Lola Gjoka është një ndër të parat mësuese të pianos të shkollës së parë muzikore shqiptare, Liceut Artistik. Në vitin 1953 emërohet koncertmaestre e grupit lirik në Filarmoninë Shqiptare të sapokrijuar, ku kontribuon për vënien në skenë të mjaft veprave të kulturës botërore dhe si as/regjisore. Pas hapjes se Teatrit të Operës luan një rol të rëndësishëm artistik në repertorin e gjerë operistik të asaj kohe. Me hapjen e Konservatorit të Tiranës, në vitin 1962 emërohet pedagoge e pianos dhe koncertmaestre e klasave të specialitetit të kantos, duke mos iu ndarë aktivitetit koncertor edhe jashtë vendit, si në Rusi, Kinë, Hungari, Kubë etj.

Merr titullin “Artiste e Merituar” për merita si artiste e veprimtare artistike më 1966 dhe titullin “Artiste e Popullit” në vitin 1978, për veprimtari të shquara si pedagoge pianiste dhe përpunuese e këngës popullore. Pianistja Lola Gjoka është një nga figurat shumëdimensionale në historinë e artit tonë muzikor, sepse ka luajtur një rol të rëndësishëm në konsolidimin e institucioneve të para artistike, duke punuar me përkushtim paralelisht edhe në formimin e artistëve të rinj. Ka dhënë ndihmesë të vyer edhe në përkthimin e dy operave të para, “Rusalka” dhe “Ivani Susanjin”. Pasuria dhe dashuria për muzikën vokale e në veçanti për këngën popullore, ka ushqyer gjithmonë shpirtin e saj krijues. Me elegancën dhe temperamentin që e karakterizonte, ajo krijoi dhe interpretoi Suitën për piano e orkestër harqesh për Koncertet e majit 1978. Por sigurisht që thesari më i çmuar që na ka lënë është libri “50 këngë të përpunuara”, botuar pas vdekjes. Vdiq ne 1985, ndërkohë që një cmim për pianistët e rinj në Shqipëri ka emrin e saj.