Princi George, sot 13 vjeç. Si është përgatitur trashëgimtari i fronit britanik më mirë se çdo paraardhës i tij

Në korrik të vitit 2013, e gjithë bota priste me padurim lindjen e fëmijës së parë të Princit William dhe Kate. Mediat kishin ngritur kamp përpara maternitetit St. Mary's në Londër dhe miliona njerëz ndiqnin çdo zhvillim.
Më 22 korrik, në orën 16:24, lindi Princi George Alexander Louis, me peshë 3.8 kilogramë. Mbretëresha Elizabeth II u shpreh e lumtur për ardhjen në jetë të stërnipit të saj, ndërsa atëherë kryeministri britanik David Cameron e quajti atë "një moment të rëndësishëm për kombin".
Sot, që bën 13-vjeç, George nuk është më vogëlushi që përshëndeste turmat nga krahët e prindërve. Ai është trashëgimtari i dytë në radhë për fronin britanik dhe po përgatitet të hyjë në një etapë të re të jetës, duke nisur studimet në kolegjin prestigjioz Eton.
Sipas burimeve pranë familjes mbretërore, Princi George është një djalë "jashtëzakonisht me këmbë në tokë", megjithëse është plotësisht i vetëdijshëm për rolin që e pret në të ardhmen. Ai është i apasionuar pas sporteve, ka talent në pikturë dhe po mësohet gradualisht me angazhimet publike që një ditë do të jenë pjesë e përditshmërisë së tij
Një fëmijëri sa më normale
Princi William dhe Catherine kanë qenë të vendosur që fëmijët e tyre të rriten sa më normalisht. Ata kanë mësuar nga gabimet e brezave të mëparshëm të familjes mbretërore dhe kanë vendosur familjen në qendër të gjithçkaje.
"Askush nuk e di më mirë se William se si është të rritesh në familjen mbretërore. Ai është i vendosur ta bëjë këtë siç duhet", shprehet një burim i afërt.
Çifti ka krijuar një rregull të qartë: së pari familja, pastaj institucioni. Edhe pse George po përgatitet për të qenë mbret, prindërit e tij kanë bërë gjithçka që ai të jetojë një fëmijëri sa më të zakonshme.
Familja kaloi vitet e para në Anglesey, ku William punonte si pilot i forcave ajrore. Catherine ka treguar më vonë se ato muaj ishin të vështirë për shkak të izolimit dhe mungesës së familjarëve pranë.
Mbrojtja nga paparacët
Kur George ishte ende i vogël, ai u bë objektiv i paparacëve. Fotografi të marra fshehurazi gjatë pushimeve, në plazh apo në kënde lojërash u shitën në media të huaja.
Në një moment, Pallati Kensington publikoi një deklaratë të fortë, ku i denonconte metodat si "të rrezikshme dhe shqetësuese" të përdorura për të fotografuar një fëmijë dyvjeçar.
Pas kësaj, publiku britanik u tregua shumë më mbrojtës ndaj privatësisë së fëmijëve mbretërorë dhe shumica e fotografive të George kanë qenë vetëm ato zyrtare, të realizuara nga fotografë të përzgjedhur ose nga vetë Catherine.
Gati për epokën e rrjeteve sociale
Ndryshe nga paraardhësit e tij, George po rritet në epokën e telefonave inteligjentë, inteligjencës artificiale dhe rrjeteve sociale. Ai është trashëgimtari i parë që duhet të përballet me sfidat e teknologjisë moderne dhe me rrezikun që privatësia e tij të cenohet jo vetëm nga mediat, por edhe nga çdo person me një telefon në dorë.
Për këtë arsye, William dhe Catherine kanë vendosur rregulla të rrepta për përdorimin e teknologjisë.
Edhe zgjedhja e kolegjit Eton lidhet me këtë filozofi. Nxënësit e vitit të parë nuk lejohen të përdorin telefona inteligjentë, por vetëm telefona bazikë për të komunikuar me familjen.
Burime pranë familjes thonë se princi dhe princesha janë "jashtëzakonisht mbrojtës" ndaj fëmijëve të tyre dhe duan që George të vazhdojë shkollimin larg presionit të mediave.
Hapat drejt rolit të mbretit
Edhe pse është vetëm 13 vjeç, George ka nisur gradualisht të marrë pjesë në angazhime publike. Ai ka qenë pranë familjes mbretërore në Jubileun Platinum, ceremoninë e kurorëzimit të Mbretit Charles III, festimet e Ditës së Fitores në Evropë (VE Day), si dhe në vizita bamirësie me babain e tij.
Ata që kanë punuar me të e përshkruajnë si një djalë shumë të sjellshëm, të edukuar dhe të gatshëm për të ndihmuar.
Megjithatë, prindërit e tij nuk i kanë imponuar kurrë idenë se një ditë do të bëhet mbret. Ata ia kanë shpjeguar gradualisht përgjegjësitë që e presin, duke e lënë të jetojë fillimisht si një fëmijë normal.
Sipas miqve të familjes, William dhe Catherine besojnë se sfidat nuk do të mungojnë, por janë të bindur se vendosja e familjes në qendër të gjithçkaje është mënyra më e mirë për ta përgatitur George për të ardhmen.
Princi George mbetet një adoleshent që kalon kohën duke luajtur tenis, kriket, futboll dhe duke shijuar natyrën, ndërsa përgatitet hap pas hapi për rolin që një ditë do ta bëjë Mbret të Mbretërisë së Bashkuar.