Mamdani paralajmëron Netanyahu-n: Mund të përballet me arrestim nëse viziton Nju-Jorkun

Zohran Mamdani, kryebashkiaku i parë mysliman i Nju-Jorkut, ka mbajtur një qëndrim të fortë ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
Në një intervistë për The New York Times, ai e cilësoi Netanyahu-n si “kriminel lufte që duhet të gjykohet në Hagë”, duke deklaruar se nuk përjashtohet mundësia e arrestimit të tij nëse ai viziton Nju-Jorkun për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse kryebashkiaku ka autoritet ligjor për të ndërmarrë një veprim të tillë. Sipas Mamdanit, administrata e tij po konsultohet me ekspertë ligjorë për të sqaruar nëse ai mund të autorizojë Policinë e Nju-Jorkut të arrestojë një lider të huaj.
“Jemi në diskutime me avokatët. Do të veprojmë vetëm brenda kufijve që na lejon ligji dhe nuk do të krijojmë rregulla të posaçme për këtë rast”, u shpreh ai.
Deklaratat e Mamdanit kanë sjellë reagim të menjëhershëm nga Izraeli. Ambasadori izraelit në OKB, Danny Danon, e kritikoi ashpër, duke thënë se, në vend që të merret me detyrat e tij si kryebashkiak, ai po përpiqet të tërheqë vëmendjen e mediave duke sulmuar shtetin e Izraelit.