Fotot/ Përfundon rikonstruksioni i Godinës 18 në Qytetin Studenti

Ka përfunduar rikonstruksioni i një godine tjetër në Qytetin Studenti, e cila do të presë së shpejti 300 studentë.

“Sot kemi rikuperuar konviktin nr.18; jo vetëm hapësirën ekzistuese, por kemi vajtur një kat më lart dhe një kat më poshtë, për të përdorur maksimalisht terrenin që kemi këtu, duke pasur parasysh se me kampusin universitar do të shtohet volumi i studentëve. Duam që në kampus të transferojmë një pjesë të madhe të Fakultetit Juridik, duam të shtohet Fakulteti i Gjuhë-Letërsisë; duam te kemi një hapësirë të madhe për shkencat sociale, edhe me Bibliotekën, por edhe me shtesat e klasave që ata kanë pasur nevojë, ndaj dhe ne parashikojmë që me të mbyllur këtë projekt të konvikteve, do fillojmë konviktet e reja me GIZ, KFË e BE, dhe do vazhdojmë pastaj me pjesën e Kampusit”, tha Veliaj teksa vizitonte ambientet e reja.



“Pjesa e Kampusit do të jetë projekti ynë i mandatit të tretë, ndaj duam të fokusohemi aty për ta mbyllur përfundimisht historinë e Qytetit Studenti. Ajo që kam parë është se ka sjellë një entuziazëm të jashtëzakonshëm. Imagjino, një prind i cili mund të jetë në Shkodër, në Tropojë, në Tepelenë apo në Këlcyrë, nis dritën e syrit, fëmijën e tij për në Tiranë… mirë paragjykimi që vjen nga një pjesë e politikës, që thotë ‘jo po janë të ardhur, jo po konviktorë’, çka është një çmenduri të thuhet në vitin 2023. Ndaj, kemi bërë gjënë e duhur kur mbajtëm premtimin për abonetë e studentit falas, me Kartën e Studentit, e cila ofron mbi 2000 shërbime, të cilat janë premtime që mund të bëhen”, vijoi më tej ai.