
Gjatë kësaj jave, ditën po punoj për një studim që lidhet me formimin e fëmijëve, prindërve dhe ofruesve të shërbimeve online në përdorimin e sigurtë dhe të përgjegjshëm të shërbimeve digjitale. Gjatë darkës, sigurisht po ndjek me kureshtjen e një sociologu, ecurinë e protestës së flamingove. Duke lexuar e vëzhguar, nuk është e vështirë të gjej disa argumente që më pëlqen t’i ndaj me ju në shënimin e kësaj jave, të cilat lidhen sigurisht me konfliktin e përhershëm të brezave, gjetjes së fajtorit e shpesh edhe shmangies së gjuhës që vështirëson komunikimin.
Si zakonisht, përballë të rinjve që mbushin sheshin, jemi shpesh ne të rriturit, që nuk po e kuptojmë shumë mirë çfarë po ndodh, apo thjesht po bëjmë sikur nuk duam ta kuptojmë. Ne themi se “të rinjtë harxhojnë shumë kohë në internet”, e shohim atë si një gjë të ndarë nga përditshmëria, e ky është gabimi ynë i parë.Të rinjtë jetojnë një pjesë të jetës së tyre në internet. Në Shqipëri, sipas statistikave zyrtare, pothuajse të gjithë të rinjtë 16–29 vjeç janë online çdo ditë. 98% e tyre përdorin internetin për rrjete sociale. TikTok, Instagram, YouTube dhe WhatsApp janë bërë pjesë e rutinës së tyre të përditshme. Qëndrimi online nuk është më një aktivitet i veçantë nga jeta reale. Përmes kësaj veprimtarie ata nuk janë thjesht pasivë; aty komunikojnë, informohen, krijojnë marrëdhënie sociale, ndjekin lajmet dhe debatin publik online. Për ta, interneti është pjesë e jetës së përditshme. Ne mendojmë se ata humbin kohën kot në rrjete sociale, por tashmë për ta këto rrjete janë kthyer në hapësira publike. Si shkallët e pallatit, oborri i shkollës, kafja te fakulteti... për brezin tonë. Për të rinjtë e sotëm, rrjetet sociale janë vendet ku zhvillohen diskutimet publike. Është lehtësisht e dallueshme tashmë që në këto hapësira të rinjtë zhvillojnë debate, u japin vëmendje çështjeve publike, ndajnë mendimet e tyre dhe madje organizojnë fort mirë prej aty veprimtaritë e tyre. Jeta e tyre online është po aq e rëndësishme sa ajo offline, ndaj si gëzimet, fitoret, vlerësimet dhe hareja, edhe protestat dhe reagimet publike do të shfaqen natyrshëm edhe në internet.
E kam përmendur edhe para një jave në shënimin e shkuar. Ne mund t’i akuzojmë të rinjtë sa të duam, që nuk kanë fjalorin e duhur, që i shprehin mendimet me dy rreshta a me një meme, që më parë bëjnë një foto se sa shkruajnë një fjali... epo, kjo është gjuha e tyre, e më thoni të drejtën, duam a s’duam, nuk mund të mos pranojmë se po merren vesh për bukuri me njëri-tjetrin, e jo vetëm. Por le të vijmë tani te thelbi: ka disa të vërteta të thjeshta që duhet t’ia përsërisim vetes. E mbani mend një shprehje që na thoshin shpesh: Përsëritja është nëna e dijes😊
Së pari, teknologjia nuk na e ka “fajin”. Me anë të saj mund të përhapet një mesazh, madje shumë shpejt, por nuk e ka fajin teknologjia nëse të rinjtë ndjejnë nevojën të protestojnë. Pra, para se diçka të bëhet virale, duhet të ekzistojë, e para se të jetë një meme, pakënaqësia është një realitet. Nuk të nxjerr në shesh për tri javë me radhë një set me foto vajzash me flamingo rozë, qofshin ato më të bukurat, qofshin edhe influencere.
Së dyti, “të shkretët” algoritme që po i marrim nëpër gojë kaq shumë... ata sugjerojnë përmbajtjen që mund të ndjekësh në rrjetet sociale, favorizojnë temat që duket se po kanë interes, por nuk ta formëson mendimin e më pas bindjen një algoritëm. Algoritmi mund ta bëjë shumë publik një problem, por nuk mundet të “shpikë” një hall.
Edhe diçka: boll i trajtuam të rinjtë si pasivë me një celular në dorë!
Ky është gabimi ynë më i madh. Të rinjtë nuk janë viktima. Ata janë aktivë, zgjedhin vetë çfarë ndjekin, duan të besojnë e të besohen, ata krijojnë përmbajtje. Ata janë ne, dhjetë, njëzet a tridhjetë vjet më parë. Thjesht kanë gjuhë tjetër, pyetje të tjera, edhe informacion, shumë më shumë se ne. Është koha e tyre dhe skena duhet të jetë për ta. Edhe vëmendja jonë, për t’i kuptuar, kundërshtuar, pranuar.
Na duhet të nxisim tek ta mendimin kritik, aftësitë për të dalluar dezinformimet, por ju lutem... le të mos i trajtojmë si të paditur, pa ide, pa fuqi. E aq më keq, të mos gënjejmë veten se ata i gënjen një algoritëm.
Nëse duam ta kuptojmë këtë protestë, duhet, si për çdo gjë tjetër në këtë jetë, të shohim arsyet që i shtyjnë njerëzit të reagojnë, të trajtojmë si të barabartë e me dinjitet e të drejtë fjale ata që kemi përballë, jo vetëm teknologjinë që përdorin për t’u organizuar. Me fjalë të thjeshta, fajësimi i algoritmit, që e dëgjojmë kaq fort të përmendet nga të rriturit që po fshihen pas gishtit, është një shpjegim i thjeshtuar e gati banal, për të mos thënë i pashpresë, për një fenomen social shumë më kompleks.