Meloni zbut qëndrimin ndaj Trumpit: Nuk mund të lejojmë një krisje me SHBA-në

Pas përplasjes së ashpër me Donald Trumpin, kryeministrja italiane Giorgia Meloni po përpiqet të ulë tensionet dhe të shmangë një krisje të thellë në marrëdhëniet mes Italisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Sipas mediave italiane, në Palazzo Chigi po mbizotëron bindja se, pavarësisht polemikave të ditëve të fundit, Roma nuk mund të rrezikojë raportet me aleatin e saj kryesor. Marrëdhëniet ekonomike, bashkëpunimi në NATO dhe interesat strategjike mes dy vendeve konsiderohen tepër të rëndësishme për t’u vënë në pikëpyetje nga një përplasje politike.
Burime pranë qeverisë italiane bëjnë të ditur se Meloni u ka kërkuar ministrave të shmangin përshkallëzimin e polemikave dhe të fokusohen te gjetja e një rruge për normalizimin e marrëdhënieve me Uashingtonin.
Sinjalet e para të këtij ndryshimi qasjeje pritet të shihen edhe në aktivitetet diplomatike të javëve në vijim, ndërsa një tjetër takim mes Melonit dhe Trumpit mund të zhvillohet në kuadër të samitit të NATO-s.