Qyteti

Veliaj e Kumbaro me Sekretarin e Organizatës Botërore të Turizmit: Tirana, një destinacion turistik

Veliaj e Kumbaro me Sekretarin e Organizatës Botërore të

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, pritën në takim Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili, i cili ndodhet në kryeqytet për të marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Turizmit, “FESTA - E ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm dhe Mjedisor në Shqipëri”.

Veliaj e cilësoi forumin si një nga ngjarjet më të mëdha për turizmin, që ka ndodhur ndonjëherë në rajon.

“Jam fatlum sepse është një kënaqësi e veçantë që Tirana është epiqendër e këtyre aktiviteteve, në vitin kur jemi Qyteti Europian i Sportit. Folëm se si nga ky forum i rëndësishëm mund lindin disa ide të reja, si të punojmë për një forum të kryetarëve të bashkive për të promovuar turizmin urban dhe për t’i shfrytëzuar këto energji”, u shpreh Veliaj.

Veliaj e Kumbaro me Sekretarin e Organizatës Botërore të

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se Tirana është qyteti ideal për organizimin e këtij aktiviteti.

“Nuk mund të zgjidhnim qytet tjetër përveç Tiranës për ta bërë këtë sepse Tirana është kthyer në destinacion të turizmit”, tha Kumbaro.

Sekretari i Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili shprehu bindjen se ky aktivitet është vetëm fillimi i shumë projekteve të mëdha, që do vijojnë me fokus turizmin.

“Jam i bindur se ky është fillimi i nisjes së projekteve të mëdha e i gjërave të veçanta që ju po bëni këtu. Jam surprizuar duke dëgjuar për projektet që ju po realizoni. Jemi këtu për të mbështetur nismat tuaja dhe për t’ju përgëzuar për lidershipin tuaj”, u shpreh Pololikashivili.

Veliaj e Kumbaro me Sekretarin e Organizatës Botërore të

Ky aktivitet organizohet nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Turizmit.