Aktualitet

S'e di a vdes një parti

Sot ishte ditëlindja e 27-të e Partisë Demokratike dhe paralelizmi me vdekjen në ditën e lindjes është çështje që i përket të tjerëve. Kjo duhet të ishte partia e shqiptarëve, por mbase ajo e deshi aq shumë lirinë sa e la të lirë. S'e di a vdes një parti? Por në një formë vdes, kur nuk e ndjekim më!

Por vdes kur nuk i përshtatet më kohës. Kur nuk ka kauza të besueshme. Kur parimet me të cilat u ngrit janë në konflikt mes vedi!

Sot ishte ditëlindja e 27-të e Partisë Demokratike dhe paralelizmi me vdekjen në ditën e lindjes është çështje që i përket të tjerëve. Unë sot jam gazetare, por kur ka lindur Partia Demokratike unë kam qenë fëmijë. Mbaj mend që ndryshimi nuk ishte për të gjithë ngazëllyes, edhe atëherë kur nuk ishin bërë as gabimet e para, as puthja e parë, as karrigia e parë në parlament, fotoja e parë. Mes entuziazmit të lirisë kishte dhe po aq frikë nga liria që po hynte në jetën e shqiptarëve. Nuk kish asgjë PD-ja në ato kohëra. Kush ka parë dokumentarët, programet janë bërë nëpër shtëpitë e intelektualëve, tek Gramoz Pashko për shembull.

Partia Demokratike, sot që e shoh me sy të pjekur, në fillimet e saj ka qenë shumë më elitare, intelektuale sesa e majta. Burrat ishin më modernë edhe në pamje, në mendim po e po! Kush nuk e kujton pardesynë e bukur të Eduard Selamit dhe sharmin e tij? Kaçurrelat e Azem Hajdarit dhe oratoria e tij. Gramoz Pashko, Spartak Ngjela, Genc Ruli, Besnik Mustafaj e madje, madje edhe Edi Rama, kur e mendon i ngjan blusë së bukur - dhe së fundmi nga ndonjë zili e thellë e së shkuarës i vodhi edhe dy gishtat. PD-ja sot ka një godinë të madhe. Mund të ketë, po të dojë, edhe kulla të larta dhe individualisht edhe i ka. Por sot që ka një institucion, PD-ja nuk është më institucion. Ajo mund të vazhdojë të qëndrojë me zyra, por nëse shqiptarët nuk e ndjekin si shpresë e frymë, ajo nuk është më! Dhe sa gjynah! Ujërat kanë rrjedhur e janë ndërruar shpesh por kjo parti, pavarësisht gabimeve historike, mëkateve politike, ka fatin që të ketë përjetë shenjën e mrekullueshme të lirisë dhe demokracisë në një vend të vogël, që përjetoi një diktaturë jo vetëm të ashpër por të varfër e depersonalizuese. Sot Partia Demokratike ngjan më shumë me LSI-në, kur e sheh në grupin parlamentar. Nuk ngjan më mirë as PS-ja, por nuk është ditëlindja e saj sot. Ndoshta është krizë njerëzish, bën vaki krizë prej njerëzish të kapur për pushtet! Sot parlamenti në anë të djathtë është shumë më spontan së atëherë kur ishte 2 vjeç! Tani që i ka të gjitha, duket sikur i ka humbur të gjitha. PD-ja nuk ngjan me PD-në!

Në Pallatin e Kongreseve më zunë sytë disa burra me ngjyrë, që duhet të ishin shoqërues të ndonjë miku të huaj, disa gra që qeshnin kur qeshte Aurela dhe disa shikime majtas djathtas të të pranishmëve, a thua se kishin ndonjë hall a frikë. Çfarë frike mund të ketë kjo parti? Më keq se është nuk do bëhet. E vetmja shenjë ringjalljeje ishin mustaqet e Bujar Nishanit, të cilat po i kthen avash, avash.

Sot nuk mungonin as ata që mungonin, në fakt! Sa për kuriozitet praktik, sot munguan të gjithë: themeluesit, intelektualët, dhjetoristët dhe trupi diplomatik.

Po të mbante një fjalim Kryemadhi dhe po mos shihnit Berishën, do kujtonit se është LSI-ja, dhe këtë të pranishmit në festë ta marrin për kompliment se organizimin kjo partia e qan me lot dhe të ngjeth mishtë kur bën festa e aktivitete. Në cilësi, në cilësi e kam fjalën, se liria kur bie në njerëz të gabuar të kthehet në fatkeqësi!

Sa keq! Kjo duhet të ishte partia e shqiptarëve, por mbase ajo e deshi aq shumë lirinë sa e la të lirë.

S'e di a vdes një parti? Por në një formë vdes, kur nuk e ndjekim më!