Prindi 1 dhe Prindi 2? Si nisi debati që po zien në rrjetet sociale

Nisi fillimisht nga dy prindër në Britaninë e Madhe, të cilët refuzuan të quheshin nënë dhe baba, por në vend të kësaj prindi një dhe prindi dy. Më tej disa organizata bënë kërkesën që në dokumente punësimi në sektorë privatë dhe publikë, apo në aplikime si pasaporta, etiketimi të ndryshohet në prindi 1 dhe prindi 2, pasi sipas tyre kështu largohet pabarazia gjinore dhe të drejtat e punës, por edhe e drejta e regjistrimit ligjor të fëmijëve në dokumente që kanë dy baballarë apo dy nëna.
Ky debat që ka përfshirë disa vende, ka prekur edhe Shqipërinë. Rrjetet sociale po zien me komente dhe nuk kanë munguar as reagimet e të famshmëve. Komentet janë të ndryshme, disa përdorin terma fyes ndaj komunitetit, ndërsa të tjerë shfaqen neturalë. Anëtarë të Komunitetit LGBTI në Shqipëri i kanë dhënë zë këtij propozimi. Xheni Karaj, një prej anëtareve të komunitetit u përfshi në një debat në një studio televizive me një psikologe lidhur me ndryshimin e termave.
Psikologia Marsela Lekli nënvizoi mundësinë e një risku social duke pasur familje me prindër dy nëna apo dy baballarë sepse janë modele me të cilat rriten.
“Mendoj që fëmija do rritet me atë frymë duke pasur dy nëna ose dy baballarë, qoftë ato edhe të seksit të kundërt. Po flasim për fëmijë që janë të vegjël, fëmijë dhe do rriten me atë frymën e personave që do kujdesen dhe do ta rrisin. Dhe do jetë edhe ai si ata në të ardhmen”, tha ajo ndërsa Xheni Karaj tha se është rritur në një familje heteroseksuale dhe nuk ndodhi që të ishte hetero por të ketë orientim seksual gay".
Kristi Pinderi ka publikuar mbrëmë një status ku tregon historinë e dy grave të reja si dhe disa pyetje për trajtimin e fëmijëve nga prindër me të njëjtën gjini:
"Reagim publik i Aleances LGBT dhe Pro LGBT:
Anisa dhe Elida janë dy gra të reja të cilat kanë 10 vjet që jetojnë bashkë. Ndajnë me njëra-tjetrën ato që ndan çdo çift në botë: përkushtim, intimitet, pasion. Ndajnë gjithashtu shpenzimet e jetesës, ëndrrat e përbashkëta, vështirësitë e jetesës në Shqipëri, pasiguritë, shpresat, dëshirat dhe aspiratën për t’ju gjendur njëra-tjetrës në ditë të mira e në ditë të këqija.
Në janar të vitit 2021, pas një planifikimi të gjatë që përfshinte diskutimin e shumë çështjeve, ngritjen e shumë pikpyetjeve, frikërave, pasigurive por edhe shpresave, Elida lindi dy vajza, produkt i inseminimit artificial. Fëmijët, dy ëngjëj që ua kanë transformuar jetën e në një mënyrë që kush ka lindur e di shumë mirë, po rriten aktualisht nga të dy nënat e tyre. Përkushtimi është i përbashkët por edhe ndarja e përgjegjësive është e barabartë. Të dyja i ushqejnë fëmijët, i ndërrojnë, i lajnë, u këndojnë ninulla, luajnë me to, i mbajnë në gjoks derisa i zë gjumi, janë të dyja aty kur fëmijët zgjohen duke qarë, janë po të dyja aty kur fëmijët flenë. Në Shqipëri prindërit tanë na kanë mësuar që kur kemi qenë të vegjël se prindërimi nuk është një event biologjik, por një proçes i gjatë me sakrifica, përkushtim, dedikim, i karakterizuar nga dashuria pa kushte e prindit për fëmijën. Eshtë shpesh një proces i vështirë, që përmban vetmohim, privime, lodhje, shpesh stres e depresion.
Por asnjë nga këto ulje ngritje dhe vështirësi në këtë proces, nuk ia transformon atij tiparin kryesor: tek rritja e fëmijëve prindërit shikojnë jo thjesht veten e tyre të ripërtërirë, por sidomos shpresën për të ardhmen.
Ne kemi mësuar, secili në familjet tona, se familja është pikërisht kjo: të paturit një histori të përbashkët,
që ne e dokumentojmë me fotografi, me aktivitete që bëhen traditë, si festimi i ditëlindjeve, festimi bashkë i ditëve të tjera me rëndësi, por edhe të paturit të aftësisë për të planifikuar bashkë të ardhmen. Pra familja është bërthama që na lejon të kemi një histori, e të ndërtojmë një të ardhme.
Si e tillë çdo familje është e shtrenjtë, çdo familje është një sistem më vete që ndërvepron me sisteme të tjera në formën e rrathëve ciklikë, edhe me institucione siç janë shkolla, shteti, ambienti i punës, komuniteti ku jetojmë, familja e zgjeruar, etj.
Është pikërisht për këtë arsye që jeta familjare është një e drejtë e njeriut që sanksionohet nga çdo dokument ligjor, në çdo hapësirë fizike e sociale të këtij globi. Për të lehtësuar këtë ndërveprim shoqëria shqiptare bazohet në ligj. Ne e shkruajmë ligjin që ligji të na lehtësojë marrëdhëniet që do duhet të ndërtojmë me veten, me shtetin, me shoqërinë.
Mirëpo që ligji të funksionojë, pra që të ketë një efekt të njëjtë për këdo pa asnjë dallim e diskriminim, duhet që mbi të gjitha të jetë i aftë të na shikojë të gjithëve
njësoj. Siç është sot, ligji shqiptar nuk ka mjete për të parë e as për të mbrojtur familjet LGBT si familja e Anisës dhe Elidës me dy fëmijët e tyre. Këto janë disa pyetje që Elida dhe Anisa i bëjnë Shqipërisë sot: A kanë të drejtë ato ta mbrojnë familjen e tyre, njësoj si çdo njeri tjetër?
A kanë të drejtë ato të shpresojnë që fëmijët që po rrisin të kenë të gjitha shanset që meriton çdo
fëmijë shqiptar për tu zhvilluar e për të qënë te lumtur? A kanë të drejtë ato të presin nga shteti që ti trajtojë fëmijët e tyre me të njëjtin dinjitet me të cilin duhet trajtuar çdo fëmijë?".
Reagimet
Aktori Gentian Zenelaj ka publikuar një foto të Nënë Terezës ku shkruan:
Pyetje nga salla...
Si do e quajmë Nēnë Terezën???
"Prindi që të lind Tereza e Kalkutës" ???
Po monumentin Nënë Shqipēri ?????
Jo për gjë po duhen ndërruar pllakat ...shkrimet..çmimet etj etj
Blerta Tafani, moderatore e cila u përfshi në debatin me Xheni Karaj ka bërë disa statuse
Nje sqarim per Xhenin dhe portale si ky:
1- te mendosh ndryshe nga Xheni nuk eshte faj.
2- te dua familjen time tradicionale dhe te dua qe femija im te kete nje nene dhe nje baba ashtu si edhe une eshte e drejta ime, eshte deshira ime me e madhe, eshte baza e shoqerise dhe e jetes!
3- une nuk jam homofobe, jam xhenifobe
4- nuk e diskriminova une nje individ qe me quan injorante, qe i denigron grate duke thene: skemi nevoje te lindim ne, se lindni ju per ne, qe kerkon te drejta dhe privilegje vetem duke bere lesbiken.
5- Reagimi im eshte thjesht i natyrshem, nisur nga ndjeshmeria ime per nenen dhe babain, per vajzen time, per familjen shqiptare dhe gjithe shoqerine qe bazen e ka pikerisht nga kjo.
Ndersa Xheni dhe portali me poshte, duan njeri fonde, njeri klikime.
Pune te mbare te dyve
Dojna Mema u pyet në Insta Story dhe ajo thotë: Si të dëshirojë ai/ajo.
Aktori Visjan Ukcenaj ka postuar një video në TikTok dhe shkruan: Nena - Prind ? #wtf ? Mos po e teprojne cike me kerkesat ?
Komente në rrjet
Ju si e komentoni ? Si e konsideroni kërkesën e LGBTI?
*Tiranapost.al.