Rama: “Air Kosova” së shpejti nis fluturimet nga Kukësi

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot nga Vlora se kompania ajrore e re “Air Kosova” do të nisë së shpejti fluturimet nga aeroporti i Kukësit.
Gjatë deklaratës, Rama theksoi se aeroporti i Kukësit ka hasur vështirësi për shkak të specifikave teknike dhe mungesës së operatorëve ajrorë, por u shpreh optimist për të ardhmen:
“Për ata që thonë se ky është fluturim “fake” që bëhet për propagandë dhe pastaj aeroporti do të mbetet si Kukësi. Ai aeroport ka pasur sfidë më vete për sigurimin e operatorëve, ka problematikë me korridorin e uljes, nuk është aeroport i thjeshtë. Nuk është gjetur në kohë një “akullthyes” që do të dëshmojë se ai aeroport ia vlen. Do të kemi së shpejti një kompani të re shqiptare që do të nisë fluturimet në aeroportin e Kukësit. “Air Kosova” do të jetë kjo kompani, me dy avionë të krenarisë sonë të përbashkët. Kompania është regjistruar që në janar të këtij viti dhe po punon për të siguruar avionët. Nuk do të jap datë sepse kam mësuar që këto datat që jap unë fusin brenda syrin e keq”, tha Rama.