Aktualitet

Mbi 120 akademikë shqiptarë të diasporës në mbështetje të protestave: Një Shqipëri e re nuk ndërtohet pa dije

Më shumë se 120 akademikë dhe kërkues shkencorë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në universitete e institucione kërkimore në Europë, Shtetet e Bashkuara, Australi dhe vende të tjera, kanë dalë me një deklaratë publike në mbështetje të protestave qytetare në Shqipëri.

Në deklaratën e tyre, ata shprehin solidaritet me protestuesit dhe kërkesat për një Shqipëri të qeverisur me përgjegjshmëri, transparencë dhe drejtësi, duke argumentuar se shumë prej problemeve me të cilat përballet vendi janë pasojë e dështimeve të zgjatura politike dhe institucionale.

Akademikët e lidhin krizën aktuale edhe me gjendjen e arsimit, shkencës dhe inovacionit në Shqipëri, duke theksuar se këta sektorë nuk janë trajtuar si prioritet kombëtar. Sipas tyre, nënfinancimi, mungesa e meritokracisë, dobësimi i integritetit akademik dhe mungesa e një vizioni afatgjatë kanë penguar zhvillimin e kapitalit njerëzor.

“E ardhmja e Shqipërisë nuk mund të ndërtohet pa dije”, thuhet në deklaratë, ku theksohet se arsimi, kërkimi shkencor dhe inovacioni janë kusht për zhvillim të qëndrueshëm, ekonomi konkurruese dhe institucione demokratike funksionale.

Nënshkruesit shprehin gjithashtu gatishmërinë për të kontribuar me ekspertizën e tyre në ndërtimin e institucioneve më të forta dhe në zhvillimin e politikave publike, por theksojnë se kjo kërkon ndryshime të thella politike dhe institucionale.

Deklarata është firmosur nga 123 akademikë dhe kërkues shqiptarë që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në vende si Gjermania, Britania e Madhe, Zvicra, Austria, Franca, Holanda, Italia, Shtetet e Bashkuara, Belgjika, Norvegjia, Danimarka, Suedia, Australia dhe vende të tjera.










Deklarata