Një përgjigje për “fitoren e flamingove” nga Kryeministri dhe një foto me 100 kuptime

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me protestat e njohura si “Revolucioni i Flamingove”, duke iu përgjigjur deklaratave se rezoluta e Parlamentit Europian përbën një fitore të protestuesve. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë ironizoi kritikët, duke i cilësuar si “korba dhe sorra”.
Në qendër të vëmendjes ishte edhe imazhi i publikuar nga Rama: një kolazh me nuanca rozë, fytyra pa tipare dhe flamingo që fluturojnë nëpër të.
reagimi:
🇦🇱🇪🇺Disa tam-tamxhinj me emër që kujtuan se u bë bulevardi kos për lugët e tyre të ndryshkura, u thonë flamingove se rezoluta e djeshme e Parlamentit Europian na qenkej fitorja e tyre e parë!
Në fakt e vërteta është se flamingot fitoren e kanë pasur në xhep pa nisur protesta - pavarësisht se nuk duan ta shohin pasi po shijojnë sfilatën e bukur në bulevard mes sorrave, korbave e llapaqorrave😈🤡👽
E kanë pasur dhe e kanë në xhep fitoren flamingot e të gjithë shqiptarët që duan mjedisin dhe zhvillimin, sepse sa të jemi unë dhe Partia Socialiste në krye të detyrës, mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi në harmoni me natyrën në zonat me ndjeshmëri të veçantë është prioritet i padiskuteshëm, ndërsa provat e prekshme të tre mandateve tona për këtë janë kokëforta🦩❤️
Sa për “fitoren e parë” flamingot duhet ta dinë se janë të keqinformuar nga sorrat dhe korbat, që e duan mjedisin si gjethe fiku për të nxitur një protestë e cila s’ka më asnjë lidhje me mjedisin. Sepse amendamenti i “fitores” u rrëzua, ndërsa amendamenti i miratuar nuk ka asnjë lidhje me Zvërnecin, pra me pejsazhin e mbrojtur Pishë Poro - Nartë, po shprehimisht me zonën e mbrojtur Nartë - Vjosë ku qeveria ndan absolutisht të njëjtin qëndrim me rezolutën. Dhe kjo nuk është lojë fjalësh me emra vendesh, po është e vërteta e fakteve që burojnë nga dokumentacioni teknik zyrtar, jo nga kanalet sociale🤷🏻♂️
Ndërsa lidhur me rishikimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, europarlamentarët do të informohen se ai është pjesë e agjendës së negociatave dhe si i tillë do të jetë fillimisht në një proces analitik me Komisionin, ku do të identifikojmë çdo pikë që nuk përputhet me kriteret e standartet e BE-së dhe pastaj do të ndërhyjmë, sipas kalendarit të dakordësuar🇦🇱🤝🇪🇺
Thënë sa më lart, sugjerimi për rishikimin e konceptit “fitore” është edhe një ndihmë humanitare për sidomos VIP-at e rënë nga vaktet politike dhe ata të fryrët me botokse llajkesh e follouersash, të cilët pas përshirjes plot epsh në nxitjen e histerisë digjitale, mundet kësisoj të jenë disi më të gatitur për një zgjim pa dhimbje të papërballueshme zhgënjimi nga fundi i paralajmëruar i revolucionit imagjinar të flamingove🤗