Aktualitet

Bajrajt e Shkodrës i përgjigjen Neomalsores përmes avokatit

Pas mesazhit të publikuar nga deputetja, Marjana Koçeku, e cila iu drejtua publikisht familjes Bajri në Shkodër duke paralajmëruar se nuk do të toleronte asnjë kërcënim ndaj familjarëve të saj ka ardhur reagimi i përfaqësuesit ligjor të Bajrave, avokatit Sokol Tahiraj.

Avokati Sokol Tahiraj ka hedhur poshtë akuzat e bëra nga deputetja, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe me karakter denigrues ndaj klientëve të tij.

“Në një shtet të së drejtës, askush nuk mund të shpallet fajtor apo të etiketohet publikisht mbi bazën e deklaratave politike, perceptimeve personale apo insinuatave mediatike. Çdo pretendim për përgjegjësi penale duhet të mbështetet në prova dhe të vlerësohet vetëm nga organet kompetente të drejtësisë. Për këto arsye, po shqyrtojmë me seriozitet të gjitha mjetet ligjore në dispozicion për mbrojtjen e interesave të klientëve tanë, përfshirë kallëzimet pranë organeve kompetente dhe ndjekjen e procedurave ligjore për çdo deklaratë që rezulton e pavërtetë, shpifëse apo cënuese të të drejtave të tyre”, shprehet avokati Tahiraj.

Reagimi i tij vjen pasi Koçeku publikoi në rrjetet sociale: “Ky mesazh i drejtohet Bajrajve të Shkodrës. Nëse familjes teme i preket kjoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën”.

Deputetja nuk ka dhënë më shumë detaje mbi arsyet e këtij reagimi, por aty nënkuptohen kërcënimet ndaj familjes së saj.