Politikë

Bushati: Ajka e kombit në diasporë po i bashkohet betejës për ndryshim

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka reaguar pasi më shumë se 120 akademikë dhe kërkues shkencorë shqiptarë në diasporë shprehën mbështetje për protestat qytetare në Shqipëri dhe bënë thirrje për më shumë përgjegjshmëri, transparencë dhe drejtësi në qeverisje

Përmes një mesazhi, Bushati vlerësoi angazhimin e elitës akademike shqiptare jashtë vendit, duke theksuar se “nuk ka gjë më patriotike sesa kur ajka e kombit në diasporë shpreh gatishmërinë për ripërtëritjen demokratike” të Shqipërisë.

Sipas tij, vendi ka nevojë për një model të ri politik, ekonomik dhe social, të bazuar në demokraci, sigurinë e qytetarëve, mbrojtjen e të drejtave të tyre, mundësi të barabarta për të gjithë dhe një ekonomi që mbështetet te dija, solidariteti dhe kohezioni social.

Reagimi i Bushatit: Nuk ka gjë më patriotike sesa kur ajka e kombit në diasporë shpreh gadishmërinë për ripërtëritjen demokratike, një model të ri politik, ekonomik e social për vendin. Për një patriotizëm të ri që mbron dhe promovon demokracinë në çdo sferë të pushtetit dhe shoqërisë. Në thelb të të cilit është siguria e qytetarëve, të drejtat e tyre, mundësitë e barabarta për të gjithë, një ekonomi që bazohet në dije, solidariteti dhe kohezioni social.

Beteja për ripërtëritjen demokratike të vendit nuk ka qenë kurrë e lehtë dhe as përpjekje e një personi të vetëm. Përkundrazi, është betejë e përditshme kolektive që kërkon strategji, përqendrim forcash, etikë, ide dhe guxim. Atdheu ynë ka nevojë për një shkundje. Kontributi i diasporës është i pazëvendësueshëm. 🇦🇱❤️🦩