A – si Agustin Kola, ish sulmuesi I famshëm bardheblu. Në mesin e viteve 90’ Tirana po toleronte në një ndeshje kundër Partizanit në stadiumin Selman Stërmasi sepse vetë kish dalë kampion, ndërsa të kuqtë po rrezikonin rënien dhe Kola në mesin e pjesës së dytë e ka lënë ndeshjen në mënyrë demonstrative në shenjë proteste për atë që po ndodhte.
B – Bylykbashi, një ndër kapitenët dhe lojtarët kryesorë të Partizanit në mesin e viteve 2000.
C – si Cetkovic, u prezantua me shumë bujë te skuadra e Partizanit gjatë merkatos së Janarit por me shumë gjasa nuk do luajë në derbi.
Ç – Çim Muca. Ish lojtar, trajner dhe drejtor në klubin Tirana, tani punon si shef klubi në shumësportëshin e Partizanit.
D – Duro, Klodian Duro. Ka luajtur me të dyja skuadrat madje kur ishte me Partizanin shënoi një super gol në fitoren 3-1 të të kuqve kundër bardhebluve në 2003. Në 2005 ritkhehet në Shqipëri dhe megjithëse kish rënë parimisht dakord me Partizanin firmosi me Tiranën. Xhani asokohe tha që Duro është “tradhtar”.
Dh – Dhuna. Derbi i fundit i sezonit të shkuar (2-2) degjeneroi në dhunë mes drejtuesve madje pati dhe arrestime.
E – Elis Bakaj. Ka luajtur me të dyja skuadrat. Produkt i Partizanit, ka shënuar në derbi me të dyja fanelat. Kur ishte te Partizani kontestohej nga tifozët e Tiranës, ndërsa kur u vesh bardheblu pësoi zemërimin e tifozëve kuq.
E – Është ndeshja me numrin më të madh të tifozëve në kampionatin shqiptar prej 4 sezonesh.
F – Fortuzi, shënuesi më i mirë i gjithë kohërave të Tiranës, rekordmen për golat në derbi 11.
G – Gilberto, hera e fundit që Tirana ka fituar një derbi ka përkuar me golin e shënuar nga braziliani i cili hyri në histori sepse kanë kaluar më shumë se 1 mijë ditë dhe Tirana ende nuk e ka fituar një derbi.
Gj – Gjergji Muzaka, fitues i Kupës me Partizanin ndërsa kampionatin e fitoi me skuadrën e Tiranës. U nda keq me të dy presidentët që më parë i kishte miq, Xhanin dhe Halili.
H – Halili presidenti i Tiranës, për momentin në vështirësi në raport me tifozët e tij sepse rezultatet e skuadrës kanë qënë zhgënjuese.
I – Ilion Lika, portieri i Tiranës, një ndër lojtarët më në formë të bardhebluve këtë sezon.
J – Junior, Brazilian, lojtari i Partizanit që në barazimin 3-3 në 2004-2005 shënoi 2 gola.
K – Kenesei, hungarez, ka luajtur me të dyja skuadrat. Më pas u arrestua në Budapest për implikim në fiksimin e rezultateve të ndeshjeve të futbollit.
L – “Labi futures”. Kapiteni i fundit i Tiranës që ka ngritur titullin kampion është Devi Muka. Sot punon në klubin e Tiranës.
Ll – Si llogaritë. Kush humbet derbin zakonisht futet në krizë që mund të prekë dhe trajnerët.
M – Murati. Ish sulmuesi i Partizanit që ka shënuar 11 gola në ndeshjet derbi, rekord për të kuqtë.
N – Nexhipi, ferri i tifozëve të Tiranës 3 vite me 3 gola të shënuar në ndeshjet derbi.
Nj – Njëmbëdhjetë herë kjo ndeshje ka përfunduar në barazim 0-0.
O – Osmani. Mbrojtësi korçar ka luajtur me të dyja skuadrat. Kur ishte me Partizanin madje ka shënuar dhe gol në sezonin 2007-2008 në fitoren 4-1.
P - Pano legjenda e Partizanit që ka dalë si futbollist nga akademia e Tiranës. Futbollisti i shekullit të shkuar për futbollin shqiptar.
Q – Qemal Stafa, stadiumi ku janë luajtur shumica e ndeshjeve derbi. Në ndeshjen e fundit në Qemal Stafa mes këtyre dy ekipeve ka fituar Partizani 2-0.
R - Refik Resmja është rekordmeni i golave në një sezon në futbollin shqiptar, 59, por nuk ka shënuar më shumë se të tjerët në derbi.
Rr – Rreli, trajneri i Tiranës së famshme në fundin e viteve 80-të.
S – Sulejmanët e derbit. Mema nga njëra anë, Starova nga ana tjetër. Ky i fundit ka fituar titull dhe me Partizanin në 1993 dhe me Tiranën në 2005.
Sh – Shpëtim Duro trajneri që i mori 8 pikë Tiranës në 4 derbet e sezonit 2014-2015. Në total në 8 derbi të luajtura si trajner i Partizanit kundër Tiranës, nuk ka humbur asnjë ndeshje.
T – Tata. Ish portieri i Partizanit dhe Tiranës një personazh më vete në futbollin e kryeqytetit.
TH - Theodhori Kalluci, 2 vite me Partizanin ka shënuar 2 gola në ndeshjet derbi. Statistikë interesante.
U – Uran Xhafa, vlonjat, ish lojtar i Partizanit, ndërkohë që djali i tij Fjodor Xhafa ka luajtur dhe është shpaull kampion me Tiranën.
V – Vitet. 20 vite nga 1945-1965 Tirana nuk fitoi dot asnjë derbi madje në këtë periudhë përkon dhe fitorja më e thellë e Partizanit në ndeshjet derbi me rezultatin 8-0.
X – Barazimi 2-2 është rezultati më i shpeshtë në ndeshjet derbit mes këtyre dy skuadrave. 29 herë kjo sfidë ka përfunduar me këtë rezultat.
Xh – Xhani, presidenti 10 vjeçar i cili e la klubin në duart e Gaz Demit. Nëse Xhani e dërgoi skuadrën në kategori të tretë, Demi e çoi në plej off të Europa Ligës.
Y – Ylli Aga, zëri i derbit, komentatori i përkushtuar i kampionatit shqiptar.
Z – Zihni Gjinali, ish lojtar i Partizanit ka shënuar 3 gola në ndeshjet derbi.
Zh – Zheraldinjo, braziliani i talentuar, një ndër të shumtit që erdhën në kohën kur presidenti i klubit ishte Albert Xhani.