Ka qenë një kohë (pyesni mamatë për ata që nuk e kanë arritur) kur zonjat e moshës 30 e pak vjeç (edhe pse tani quhen vajza) mund të përdornin buzëkuq dhe të hollonin vetullat vetëm pasi ishin martuar. Viza e parë e lapsit të zi brenda syrit mund të bëhej vetëm për fotot bardhezi të maturës, ku vishej e njëjta bluzë nga të gjitha vajzat e klasës dhe flokët bëheshin me onde duke përdorur bishtin e hekurt të thikës. Për bojëra flokësh, ngjyra, nuanca, prerje as që ëndërrohej. Natyra mesdhetare me flokë të errët ishte kudestarja e rreptë e bukurisë natyrale. Ndaj dhe ato fare pak bionde asokohe numëroheshin me gishtat e dorës dhe dallonin nga të tjerat. Ishin të rralla. Jo si tani qw mjafton tw tw teket dhe sot je brune, neswr bionde, pasneswr kuqse. Ato që kemi përzgjedhur ne ishin edhe të bukura. Natyrisht edhe të njohura. Bionde që ngelën të tilla edhe pasi kohët ndryshuan dhe me flokët mund të bënin ç’të donin.
Silvana Braçe
Si prezantuesja më moderne e kohës, Silvana ishte e para që guxoi me dekoltetë, që veshi një fustan aq të lakmuar me shkëlqim dhe e vetmja ikonë e Televizionit Shqiptar të asaj kohe që mbi flokë krijonte modele të ndryshme. Herë linte balluke, herë i bënte drejt e herë me onde, herë i priste e herë i zgjaste. Ama ngjyra mbeti e njëjtë sot e kësaj dite. Silvana Braçen nuk mund ta mendosh dot pa flokët e saj të verdhë, një armë më shumë në portretin e saj të pandryshueshëm, pavarësisht sa vjeç është.
Tefta Radi
A e imagjinoni dot Tefta Radin me flokë gështenjë? Aq vite sa e kemi parë bionde, as imagjinata nuk na bindet. Kështu u shfaq spikerja historike e lajmeve në TVSH e kështu doli në pension. Me flokët e verdhë të shkurtër, për të cilët çfarë nuk thuhej në atë kohë. Siç vetë Tefta Radi ka rrëfyer, njerëzit mendonin se i kishte paruke, aq bukur i rrinin, sa aq fija nuk i lëvizte. E rrallë për atë kohë, kur mungonin edhe shampot, se llaku e produkte të tjera të kujdesit të flokut as që mendoheshin.
Margarita Xhepa
Sikur ajo Margaritë të kishte çelur në një tjetër tokë, ndoshta do flisnim për të njëlloj si për Brigitte Bardot. Nga fotot e vjetra të Margarita Xhepws mund të shohësh fare qartë se aktorja franceze me nam nuk është se ka ndonjë gjë më shumë. Veç linjave e bukurisë prej ylli, flokët e verdhë natyrale të Margaritës na kanë zbukuruar ekranin për aq shumë vite dhe madje vazhdojnë ta bëjnë akoma. Janë simboli i saj.
Vjollca Pepa
Që ajo ka qenë aktore dhe ka luajtur në film edhe me Matilda Makoçin, të paktë janë ata që e mbajnë mend, ama që ajo ka dhënë motin në TVSH, këtë e mbajnë mend të gjithë të lindurit para viteve ’90. Vjollca Pepa meriton një dekoratë për revolucionin që ka sjellë në të vetmin ekran të shqiptarëve, që ishin mësuar të shihnin vetëm gra me kostume burrash. Kur Vjollca u shfaq me veshjet e hapura, të ngjitura pas trupit, grimin e fortë dhe flokët e gjata bionde me onde të mëdha, e ktheu minutazhin e kursyer të motit në programin më të ndjekur të kohës. Bionde të tilla ekrani nuk kishte parë.
Elena Kadare
Ajo nuk ishte vetëm gruaja e bukur e shkrimtarit Ismail Kadare. Ishte mbi të gjitha një nga gratë më sharmante të Tiranës së komunizmit dhe nga të paktat bionde që frymëzonin të tjerat. Me një portret që të kujton aktoren e bukur Giuliana De Sio, Elena Kadare mbetet ende zonja e fisme dhe silueta bionde që ndodhet përherë pranë Ismail Kadaresë. Me kalimin e viteve pak gjëra kanë ndryshuar në pamjen e saj. Flokët aspak.
Arta Dade
Profesoreshës së anglishtes që u bë më pas deputete, ne i kemi njohur vetëm profilin publik, kur ajo i hyri politikës dhe u dallua si një nga zonjat më elegante. Por Arta Dade ka qenë përherë e bukur. Kjo është një foto kur ka qenë vetëm 20 vjeç. Po ato tipare bien në sy si tani si atëherë. Sytë e kaltër dhe flokët e celët. Të njëjtët që kanë ngelur edhe tani, edhe pse me ndonjë ndryshim të vogël në nuancë.
Ketrin Gjoçaj
Biondja e përjetshme e TVSH-së. Sikur të ishin vetëm flokët. Në portretin e saj s’ka ndryshuar asgjë. Mund të thuash sa të duash se ne kemi qenë fëmijë e ajo grua kur tregonte përralla. Siç mund të thuash edhe se është gjyshe prej disa vitesh. Ketrin Gjoçaj është e njëjta. I njëjti portret, të njëjtët flokë. Veç ndonjë prerjeje a modeli herë ca më shkurt e herë ca më gjatë, ngjyra ka mbetur rigorozisht e verdhë, duke e përjetësuar si një nga biondet më të patunduara nga ngjyrat e tjera.