Dritan Dajtit i kërkohet të justifikojë pasurinë
Dritan Dajti, autori i vrasjes së 4 policëve në Durrës 11 vite më parë, do të japë llogari për pasurinë. Në vijim të Operacionit Forca e Ligjit mësohet se Dajtit i është dërguar formulari për të justifikuar dhe deklaruar burimin e të ardhurave të tyre, bashkë me Xhevdet Troplin, i dënuar për trafikim droge.
Dajti është dënuar për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.
Të dy këta persona duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së. Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë Xhevdet Troplinit në Durrës iu sekuestrua dje makina e blinduar tip 'Jeep'. Troplini njihet ndryshe me pseudonimin "Poja", në pronësi të së cilit janë disa biznese, mes tyre edhe lokalin në parkingun e të cilit u rrëmbye Gazmir Çollaku. Ai është përfshirë dhe i dyshuar në disa ngjarje kriminale në Durrës, por që në asnjë moment nuk është provuar fajësia e tij. Ky person del gjithashtu edhe në listën e biznesmenëve të gjobitur në Durrës nga një eksponent shumë i njohur kriminal në Shqipëri si Emiljano Shullazi./ Tiranapost.al