Shënime në Blog

Idetë që nuk do t’i mbijetojnë krizës

Ndonjëherë njerëzit më pyesin se çfarë duhet të kesh për të qenë shkrimtar. Gjërat e vetme që duhet të bësh, i them, janë të lexosh vazhdimësisht, të shkruash për mijëra orë dhe të kesh aftësinë mazokiste për të duruar refuzimin dhe izolimin.

Idetë që nuk do t’i mbijetojnë krizës

Nga Viet Thanh Nguye

Mesa duket këto cilësi më kanë përgatitur mirë në përballimin e jetës në kohët e koronavirusit. Fakti që thuajse po e shijoj këtë periudhë izolimi (përveç krizave paranoika për vdekjen e mundshme dhe inatin për paaftësinë e lidershipit të vendit tonë) më bën tërësisht të vetëdijshëm për privilegjin tim.

Shkatërrimin që ka shkaktuar ky virus te njerëzit që kanë humbur punën dhe janë të shqetësuar se nuk do të munden të paguajnë qiranë e shoh vetëm nëpërmjet lajmeve që vijnë përmes rrjeteve sociale. Historitë e tmerrit shfaqen nga mjekët dhe infermierët, nga njerëzit e prekur prej Covid-19 dhe ata që kanë humbur të dashurit për shkak të sëmundjes.

Shumë prej nesh po shohin një plagë distopike. Të tjerë janë duke e përjetuar. Nëse diçka e mirë do të lindë nga kjo periudhë, ndoshta do të jetë një gjendje vetëdijeje për gjendjen që kishte përpara trupi ynë politik. Nuk ishim aq të shëndetshëm sa mendonim se ishim. Virusi biologjik që godet njerëzit është edhe një virus social. Simptomat e tij – pabarazia, destabiliteti dhe një shtyrje drejt përfitimit për ata që nënvlerësojnë rëndësinë e jetës njerëzore dhe mbivlerësojnë atë të objekteve – kanë qenë për shumë kohë të mbuluara nga deliri i madhështisë amerikane, si çehrja e mavijosur e një njeriu përpara atakut kardiak.

Edhe nëse Amerika do t’ia hedhë koronavirusit ashtu siç jemi mësuar ta shohim, vështirë se do të dalë e paprekur. Nëse te çdo pacient që i mbijeton një eksperience thuajse fatale, iluzioni i pamposhtësisë shkatërrohet, atëherë ai që do të vdesë pas Covid-19 do të jetë miti që jemi vendi më i mirë në Tokë, një besim i përbashkët që mbretëronte edhe midis të varfërve, të margjinalizuarve dhe të atyre që ndiheshin të pasigurtë, të detyruar të besonin të paktën në shpirtin e tyre amerikan.

Ndoshta ndjesia e burgosjes që kemi përjetuar gjatë karantinës, mund të na bëjë të imagjinojmë se si mund të jetë burgosja e vërtetë. Ekzistojnë burgje reale ku kemi mbyllur qenie njerëzore që nuk kanë asnjë lehtësim nga koronavirusi. Ka kampe refugjatësh dhe qendra ndalimi që janë si burgje. Ekziston burgimi ekonomik i varfërisë dhe i pasigurisë, ku mungesa e një page mujore mund të të kushtojë strehën, ku sëmundja pa sigurim shëndetësor mund të të shkaktojë vdekje.

Por në të njëjtën kohë, burgjet dhe kampet e përqendrimit shpesh kanë qenë vende ku ka lindur vetëdije e re, ku të burgosurit janë radikalizuar, ku janë bërë aktivistë, madje edhe revolucionarë. A është e tepërt të shpresojmë se izolimi i detyruar i shumë amerikanëve, dhe puna e detyruar e të tjerëve, do të shkaktojë akte radikale të vetë-reflektimit, vetëvlerësimit dhe solidaritetit?

Një krizë shpesh shkakton frikë dhe urrejtje. Tashmë jemi dëshmitarë të një vale racizmi kundër aziatikëve dhe aziatiko-amerikanëve në lidhje me “virusin kinez”. Por kemi mundësinë të bëjmë një zgjedhje: të pranojmë një botë ndasish ku ne jemi të detyruar të luftojmë për të zotëruar burimet e pamjaftueshme, ose të imagjinojmë një të ardhme në të cilën shoqëria jonë vlerësohet nga aftësia e saj për t'u kujdesur për të sëmurët, të varfërit, të moshuarit dhe për të ndryshmit nga ne? Si shkrimtar, unë e di se kjo zgjedhje paraqitet në gjysmën e një historie. Është pika e kthesës. Një protagonist - në këtë rast trupi politik, për të mos përmendur presidentin - është përballur me një vendim kritik, i cili zbulon se kush është në të vërtetë.

Nuk kemi mbërritur ende në gjysmën e fabulës sonë. Sapo kemi mbyllur aktin e parë, ku lehtësisht bëhemi të vetëdijshëm për kërcënimin që po na vjen përballë dhe zbulojmë se duhet të reagojmë në një formë a në një tjetër. Të veprosh, tani për tani, do të thotë thjesht të bësh atë që duhet të bësh për të luftuar Covid-19 dhe të shpëtosh si shtet, i dobësuar por i gjallë.

Pika e kthesës vjen vetëm kur heroi takon një kundërshtar të denjë për të, jo një kundërshtar të dobët ose margjinal, por dikë ose diçka që është me të vërtetë i fortë. Covid-19, edhe pse është i tmerrshëm, është vetëm një personazh negativ. Armiku ynë kryesor nuk vjen nga jashtë, por nga brenda. Armiku kryesor nuk është virusi, por përgjigja ndaj virusit, një përgjigje që është degraduar dhe deformuar nga pabarazitë strukturore të shoqërisë sonë.

Amerika ka një histori kolonializmi dhe kapitalizmi të cilat kanë shfrytëzuar në mënyrë të pamëshirshme burimet natyrore dhe njerëzit, zakonisht të varfërit, emigrantët, zezakët dhe njerëzit me ngjyrë në përgjithësi.

Sot kjo histori shfaqet në impulsin tonë për të akumuluar, duke ditur që jetojmë në një ekonomi me burime të pamjaftueshme, në varësinë tonë nga puna e lirë e grave dhe e minoriteteve, mungesa e një sistemi të përshtatshëm shëndetësor, të mirëqenies, të të ardhurave universale dhe të arsimimit për t’u kujdesur për ata që kanë nevojë. Ajo që na tregoi kjo krizë është se megjithëse pothuajse të gjithë mund të preken, madje edhe të pasurit dhe koorporatat e mëdha, qeveria jonë i jep përparësi mbrojtjes së atyre që rrezikojnë më pak.

Nëse do të ishte një histori klasike e Hollivudit, superheroi amerikan, i druajtur dhe hezitues në fillim, do të merrte vendimin e duhur në këtë moment vendimtar. I keqi Covid-19 do të mposhtej dhe rendi shoqëror do të rikthehej aty ku ishte përpara se të shfaqej ky zuzar.

Por nëse shoqëria jonë, pas mposhtjes së Covid-19, do të jetë sërish ajo e para, do të jetë një fitore si e Pirros. Mund të presim vazhdimin, shumë vazhdime, derisa të arrijmë në finalen e madhe: katastrofën klimatike. Nëse çorba dhe hezitimet me të cilat kemi trajtuar koronavirusin janë një parathënie e mënyrës se si Shtetet e Bashkuara do ta trajtojnë atë katastrofë, atëherë jemi të dënuar.

Në mes të këtij menaxhimi të ngathët, megjithatë, ka shenja shprese dhe guximi: punëtorë që ngrenë zërin kundër shfrytëzimit; njerëz që dhurojnë maska, para dhe kohë; punonjës të mjekësisë dhe pacientë të cilët shprehin zemërim për bjerrjen e sistemit tonë shëndetësor; një kapiten i Marinës i cili sakrifikon karrierën e tij për të mbrojtur detarët; madje edhe të huajt që përshëndesin të huajt e tjerë në rrugë, që në qytetin tim, Los Angeles, përfaqëson një veprim radikal solidariteti. E di që nuk jam i vetmi që mendoj për këto gjëra.

Ndoshta ky izolim më në fund do t'u japë njerëzve mundësinë të bëjnë atë që bëjnë shkrimtarët: të imagjinojnë, të ndjejnë empati, të ëndërrojnë. Të kesh kohë dhe luks për të bërë këto gjëra, është njësoj sikur tashmë të jetosh në utopi, edhe nëse shkrimtarët, duke filluar nga këtu, shpesh imagjinojnë distopi. Unë nuk shkruaj vetëm sepse më jep kënaqësi, por edhe nga frika, nga frika se nëse nuk do të tregoja një histori të re, nuk do të isha në gjendje të jetoja.

Në fund amerikanët do të dalin nga izolimi dhe do të numërojnë të rënët, si njerëzit ashtu edhe idetë që nuk arritën t'i mbijetojnë krizës. Dhe atëherë ne do të duhet të vendosim se cilën fabul do të përdorim për t’u jetuar nga të mbijetuarit.

*Viet Thanh Nguyen është shkrimtar vietnamezo-amerikan, fitues i çmimit “Pulitzer” në vitin 2016. Është gjithashtu anëtar i Akademisë Amerikane të Artit dhe Shkencës, si edhe kontribues në “New York Times”.

Artikulli u shqipërua nga Erjon Uka.