“Alpha Show 2” i Noizyt, epilogu i duhur i koncerteve në Tiranë

Nuk kanë qenë të pakta koncertet që kanë zhurmuar e i kanë dhënë edhe më shumë jetë Tiranës gjatë kësaj pranverë- vere. Por ajo që ndodhi mbrëmë në sheshin “Nënë Tereza”, ishte më shumë se një koncert. Ishte një eufori, që do t’i gllabëronte të gjithë, të madh e të vogël, që ndodhej në atë vend, vetëm për një arsye: për Noizyn. Ata që e duan e janë fansa të çmendur pas tij, për ta parë nga afër, për ta dëgjuar e për të kënduar me të. Shumë të tjerë, nxitur prej kuriozitetit për të ndjerë aty live se ç’fuqi ka ky artist që po bëhet çdo vit e më shumë një fenomen uragan, që sa më shumë kontestohet e paragjykohet, aq më shumë edhe fuqizohet.
Duke e parë atje në skenë, duke e dëgjuar atje live, kupton se Noizy është artisti që nuk është aspak rastësisht në majat ku ka arritur të jetë.
Kush ka parë “Alpha show 1” një verë më parë dhe “Alpha show 2” një natë më parë e thotë me bindje të plotë se mbrëmë artisti që e konsiderojnë si “mbretin e muzikes rep” shënoi një tjetër histori suksesi, për të cilën sot duhet të ndjehet shumë krenar. E kish premtuar se do të rikthehej me “Alpha Show”, në përmasa edhe më të mëdha se ai i një vere më parë dhe e realizoi 100% atë, duke shenjuar kështu dhe epilogun më të bukur të mundshëm të serive të koncerteve të shumta, që janë organizuar këto kohë në kryeqytet.
“Alpha Show 2” nuk solli vetëm ritmin dhe adrenalinën përmes estradës së këngëtarëve më në zë të momentit si Elgit Doda, Buta, Era Istrefi, Ledri Vula, Varrosi, Elai, MC Kresha, Ylli Limani etj, por dhe një Noizy në të gjithë dimesionet e artit e profesionalizmit të tij.
Masa u emocionua fort kur nisi intro muzikore e hyrjes së tij në skenë me tingujt e këngës “Noku i vogël” (që ja ka dedikuar vajzës së tij) dhe u elektrizua edhe më fort kur sheshi nisi të oshëtijë i tëri me “Jena mbretër 2” (që ua dedikon OTR-ve të tij). Në ato momente askush nuk e kishte mendjen e kohën të analizonte pse Noizy kish zgjedhur pikërisht atë ngjizje muzikore. Ndoshta për ta përfshirë masën në dy gjendje, ekstremisht të kundërta me njëra- tjetrën: emocionalen që buron nga histori personale dhe shpirtin luftarak alpha, për të qenë gjithmonë on top. Një gjetje fantastike për të nisur një koncert ku do të zbrasej një repertor i tërë që është krijuar pikërisht në këto dy linja që e kanë karakterizuar Noizyn, përgjatë gjithë rrugëtimit të tij.
Një nisje që edhe vazhdimin do ta kishte po aq të bukur, sepse në çdo sekond, pa ndalim, fansat kënduan njëzëri me Noizyn, çdo këngë, çdo frazë…kërcyen në çdo tingull e refren. Ndjeheshin pjesë e një feste që iu përkiste, që e meritonin ta merrnin prej artistit që e duan aq shumë.