Vendet më 'cool' në Tiranë kur je tip që lexon libra
Pasi ushqeve trupin fundjavën e kaluar në një nga restorantet më të mirë të Tiranës, këtë fundjavë do shkosh të ushqesh shpirtin dhe mendjen. Dhe kush tjetër veç librit ta ofron këtë? Sot janë të gjitha mundësitë që të mos strukesh te divani me një libër në dorë (edhe pse ka të bukurën e vet edhe kjo). Mund të shkosh në ato lokalet si librari, a libraritë si lokale. Kape librin që ke kohë që do ta lexosh, ulu dhe shijoje fundjavën në mënyrën më inteligjente të mundshme.
“E përshtatshme” është hapur në vitin 2004. Ka një bibliotekë me rreth 6000 titujsh librash që ju mund t’i blini, t’i merrni hua ose edhe t’i lexoni aty gjatë kohës që uleni për të pirë ose ngrënë diçka. Kjo kafe librari është vendi i preferuar për të gjithë studentët, sidomos në sezonin e provimeve që kalojnë orë aty duke studiuar. ‘Used Book Fair’ që ndryshe njihet edhe si Panairi i librit të përdorur, organizohet çdo dy muaj, javën e dytë të muajt dhe çdokush që kërkon libra të rrallë dhe në disa gjuhë të huaja i gjen aty.
“Friend’s Book House”, e hapur në tetor të vitit 2002 është edhe kafe-libraria e parë që është hapur në Tiranë. E arreduar me ngjyra të ngrohta kjo librari të bën të ndihesh sikur je në shtëpi. Friend’s Book House është padyshim zgjedhja e duhur për këdo që po kërkon një sallë leximi për të lexuar librin e preferuar ose edhe për të studiuar. Gjatë kohës së leximit ju mund të hani diçka dhe padyshim të shijoni një filxhan me çaj mali. “Dhuro një libër dhe kujtimi mbetet” është motoja e Friend’s Book House.
“Libraria Tirana Times” e vendosur në një nga zonat më të mira të Tiranës libraria është e mbushur me rafte të bardhë me libra. Jo vetëm për studentët është vendi ideal për të lexuar, po për të gjithë ata që duan që pasditet t’i kalojnë duke lexuar një libër dhe duke pirë një gotë verë nën shoqërinë e miqve të tyre. Muzika e bukur e xhazit francez, së bashku me një kek të shijshëm, do i bëjnë pasditet tuaja të leximit edhe më të bukura. Motoja e “Libraria Tirana Times” është: “Libra të mirë, çaj dhe kek i mirë, verë dhe muzikë me shije!”.
“Musine Kokalari” është edhe biblioteka më e re në Tiranë e inauguruar vetëm pak kohë më parë. Me një ambient dinjitoz për të gjithë të pasionuarit e leximit, kjo bibliotekë vizitohet çdo ditë nga të rinjtë e kryeqytetit. E ku ka më mirë se sa të shijosh një libër në këtë ambient aq të bukur dhe relaksues. Por mos harroni, kafenë duhet ta merrni me vete sepse kjo hapësirë i është kushtuar vetëm librave dhe leximit./ Copyright Tiranapost.al
