Rama për Zvërnecin: Një rrahje lokale u bë shkak për përplasje globale

Kryeministri Rama po mban fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetit qeveritar.
Fokusi i diskutimit, siç mund të pritej është situata me protestat ne vend dhe diasporë.
Rama u shpreh ndër të tjera se një rrahje lokale u bë shkak për përplasje globale, referuar tërheqjes zvarrë të një qytetari nga rojet e policisë private në Zvërnec, por edhe sulmeve që më pas pasuan ndaj Trump dhe dhëndrit të tij prej investimit në Sazan.
“Prej 20 ditësh Shqipëria u kthye në syrin e një cikloni dixhital. Një vorbull më e madhe sesa përmasat e vendit tonë. Kjo vorbull përfshiu të reja, të rinj, patriot dixhitalë, komedianë të kthyer në kandidatë, delirantë me qeleshe, njerëz nga të gjitha kontinentet, media sociale dhe tradicionale nga të gjitha kontinentet, parti politike në Europë dhe në SHBA, aktorë të biznesit të turizmit në rajon dhe aktorë shtetërorë malinj ndaj Shqipërisë. Natyrisht edhe karavidhet opozitare të vendit tonë. Befas Zvërneci u bë kërthiza e botës, ku po vendosej fati i ngrohjes globale. Bulevardi i Tiranës u bë sheshi ku qindra mijëra njerëz, sipas vetë Sanders, iu turrën oligarkisë botërore. Bota shqiptare u njehsua me histerinë e kanaleve sociale, duke bashkuar në një armatë të vetme çlirimtare zogjtë më elegantë të botës, Flamingot, me fundin e kazanit dixhital”, tha mes të tjerash Rama.