Aktualitet

Viti i ri akademik, tarifat për çdo universitet

Janë zbardhur tarifat e studimit në 12 universitetet publike në vend. Ato variojnë nga 25 mijë lekë deri në 40 mijë lekë për programet bachelor, ndërsa programet master do të jenë shumë herë më të shtrenjta, me tarifa nga 63 mijë deri në 204 mijë lekë.

Në universitetet publike do të pranohen 22.420 maturantë ku Universiteti i Tiranës do të pranojë 5378 studentë, Universiteti i Mjekësisë 817 studentë, Politekniku 1407, 2679 studentë do pranohen nga Universiteti Bujqësor, ndërsa Artet kanë 219 kuota për studentët dhe Sportet pranojnë 300 studentë.

Ashtu siç është thënë edhe më parë, tarifat e studimit në Universitetin e Tiranës nuk do të ndryshojnë. Në fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të gjitha programet e studimit e kanë tarifën 30 mijë lekë, ndërsa programet e fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Gjuhëve të Huaja e kanë tarifën 25 mijë lekë.

Tarifat më të larta i kanë fakulteti i Shkencave Sociale dhe ai i Drejtësisë, me 40 mijë lekë për program. Fakulteti Ekonomik për të gjitha programet do të ketë tarifën 35.000 lekë, Universiteti i Arteve 40.000 lekë në vit, ndërsa Universiteti i Sporteve 35.000 lekë në vit.

Politekniku ka tarifa të ndryshueshme, ku disa programe studimi kanë tarifën 25.000 lekë, degët e inxhinierisë elektronike, inxhinierisë informatike dhe telekomunikacioni e kanë tarifën 30.000 lekë ndërsa inxhinieria e ndërtimit 35.000 lekë. Arkitektura dhe urbanistika kanë tarifën më të lartë prej 40 mijë lekësh.

Tarifat më të larta të studimit në krahasim me universitet e tjera i ka Mjekësia. Sipas vendimit të Senatit Akademik të këtij universiteti, këtë vit ato variojnë nga 35 mijë lekë deri në 45 mijë lekë në vit./E.U, Tiranapost.al

Mp4ttqwl