Karantina Blog

Do të jemi sërish njerëz

Shumë do të humbasin të dashurit e tyre, punën e tyre, burimin e të ardhurave, dinjitetin. Po kur të mbarojë epidemia, nuk mund të përjashtohet se do të ketë nga ata që nuk do të duan të kthehen në jetën e tyre të mëparshme. Kush, nëse është e mundur, do të lërë një punë që me vite e ka mbytur dhe e ka shtypur. Kush do të vendosë të braktisë familjen, t’i thotë lamtumirë bashkëshortit, ose partnerit. Kush do të vendosë të ketë një fëmijë, apo të mos e ketë kurrë një të tillë. Kush do të besojë në Zot dhe kush do të heqë dorë nga besimi tek Ai.

Do të jemi sërish njerëz

Nga David Grossman/ Epidemia është më e madhe se ne dhe në një farë mënyre nuk arrijmë ta konceptojmë. Është më e fortë se çdo armik me mish e me kocka me të cilin mund të jemi përballur ndonjëherë, më e fortë se çdo superhero që kemi imagjinuar apo që kemi parë në filma.

Ndonjëherë një mendim i ftohtë më zvarritet në zemër: kjo, ndoshta, është një luftë që do ta humbasim. Një luftë nga e cila do të dalim të humbur në nivel botëror. Si në kohët e gripit spanjoll. Por menjëherë e flakim tutje një skenar të tillë. Pse vallë duhet të dalim të humbur? Jemi në shekullin e XXI! Jemi të sofistikuar, të kompjuterizuar, të pajisur me arsenale armësh, të vaksinuar, të mbrojtur nga antibiotikët…

E megjithatë diçka na thotë se këtë herë rregullat e lojës janë të ndryshme deri në atë pikë, sa të paktën për momentin, nuk ka rregulla loje fare. Çdo orë numërojmë të tmerruar të sëmurët dhe të vdekurit në çdo cep të botës teksa armiku që kemi përballë nuk reflekton fare shenja lodhje apo kapitullimi duke pretenduar më shumë viktima. Duke përdorur trupat tanë për t’u riprodhuar.

Ka diçka kërcënuese në mungesën e fytyrës së kësaj epidemie, në egërsinë e saj të padukshme. Duket se dëshiron të thithë gjithçka në tërë qenien tonë, e cila papritmas na shfaqet e brishtë dhe e pambrojtur për ne. Edhe pafundësia e fjalëve në muajt e fundit nuk ka arritur ta bëjë këtë përhapje pak më të kuptueshme dhe disi më të parashikueshme.

“Deri në momentin që murtaja nuk është në përmasat e njeriut”, shkruan Albert Camus në librin e tij Murtaja, “mendojmë se është diçka jo realem vetëm një ëndërr e keqe që do të kalojë. Por në të vërtetë jo gjithmonë rreziku kalon dhe nga ëndrra e keqe në ëndërrën e keqe, janë njerëzit që kalojnë… mendonin se gjithçka për ta ishte ende e mundur, duke supozuar se rreziqet ishin të pamundura. Vijonin të bënin tregti, planifikonin udhëtime dhe kishin mendime. Si mund të mendonin për murtajën që do t’i shkatërronte të ardhmen…?”

E dimë: një përqindje e caktuar e popullsisë do të infektohet nga virusi. Një përqindje e caktuar do të vdesë. Në Shtetet e Bashkuara flitet për një parashikim me një milionë viktima. Vdekja është e prekshme. Kush mundet, e heq këtë mendim. Por mund ta heqë kush zotëron një imagjinatë të zjarrtë – si autori i këtyre radhëve për shembull. Dhe kështu fjalët e tij merren me një dozë të caktuar skepticizmi, është viktimë e mendimeve dhe skenarëve që shumëfishohen me një shpejtësi jo më të vogël se ajo e përhapjes së virusit. Thuajse çdo njeri që takoj projekton mbi mua mundësitë e të ardhmes së tij, në një ruletë të epidemisë. Dhe të jetës sime pa të. Dhe të jetës së tij pa mua. Çdo takim, çdo bisedë, mund të jetë e fundit.

Rrethi po ngushtohet: fillimisht shpallën anulimin e fluturimeve. Më pas mbyllën lokalet, teatrot, komplekset sportive, muzetë, azilet, shkollat, universitetet. Njerëzimi po fik dritat e tij, njëri pas tjetrit.

Papritur në jetët tona po luhet një dramë me përmasa biblike. “Dhe Zoti dërgoi vdekjen në popull”. E dërgoi në të gjithë botën. Secili prej nesh është pjesë e kësaj drame, askush nuk është i përjashtuar, askush nuk është më pak i përfshirë se të tjerët.

Nga njëra anë prej natyrës së kasaphanës, të vdekurit që nuk njohim janë veçse numra, njerëz anonimë, pa fytyrë. Nga ana tjetër, duke parë të dashurit tanë, kuptojmë shkallën në të cilën çdo njeri përfaqëson në vetvete një civilizim të pazëvendësueshëm. Veçantia e secilit prishet me një klithmë të papritur dhe, pasi dashuria na shpie të zgjedhim një person të vetëm në mesin e shumë personave që kalojnë në jetën tonë, po kështu vepron edhe vetëdija për vdekjen.

Dhe bekuar qoftë humori, mënyra më e mirë për të përballuar gjithë këtë. Kur arrijmë që të qeshim edhe në situatën e Covid-19 faktikisht shpallim se nuk jemi tërësisht të paralizuar. Që kemi ende liri lëvizjeje. Që vazhdojmë të luftojmë dhe nuk jemi viktima të pambrojtura (në të vërtetë jemi, por kemi gjetur një mënyrë për të reaguar ndaj këtij mendimi të tmerrshëm e madje të qeshim).

Për shumë epidemia mund të shndërrohet në një ngjarje themeltare, fatale për vazhdimin e jetës.
Kur të mbarojë, njerëzit më në fund do të jenë në gjendje të dalin nga shtëpia pas një karantine të gjatë dhe të zbulojnë mundësi të reja dhe befasuese, ndoshta të krijuara nga kontakti me vetë themelin e ekzistencës sonë. Ndoshta afrimi me vdekjen dhe mrekullia e shpëtimit do të trondisin gra dhe burra. Shumë do të humbasin të dashurit e tyre, punën e tyre, burimin e të ardhurave, dinjitetin. Po kur të mbarojë epidemia, nuk mund të përjashtohet se do të ketë nga ata që nuk do të duan të kthehen në jetën e tyre të mëparshme. Kush, nëse është e mundur, do të lërë një punë që me vite e ka mbytur dhe e ka shtypur. Kush do të vendosë të braktisë familjen, t’i thotë lamtumirë bashkëshortit, ose partnerit. Kush do të vendosë të ketë një fëmijë, apo të mos e ketë kurrë një të tillë. Kush do të besojë në Zot dhe kush do të heqë dorë nga besimi tek Ai.

Vetëdija për brishtësinë dhe dobësinë e jetës do të shtyjë burra dhe gra të vendosin prioritete të reja, për të bërë më mirë dallimin midis asaj që është e rëndësishme dhe asaj që është e kotë. Të kuptosh që koha, dhe jo paraja, është burimi më i çmuar. Do të ketë nga ata që, për herë të parë, do të pyesin veten për zgjedhjet e bëra, për heqjen dorë, për kompromiset. Mbi dashuritë që nuk guxuan të dashurojnë. Për jetët që nuk kanë jetuar. Burra dhe gra do të pyesin veten, me siguri për pak kohë por të paktën do ta bëjnë, se pse harxhojnë ekzistencën e tyre në marrëdhënie të hidhura.

Do të ketë edhe nga ata që do të rishohin mendimet e tyre politike, të bazuara në ankthet apo vlerat që do të shpërbëhen gjatë epidemisë. Do të ketë edhe nga ata që do të dyshojnë tashmë te arsyet të cilat shtyjnë një popull të luftojë ndaj një armiku për gjenerata, të besojë se lufta është e pashmangshme. Është e mundur që një përvojë aq e vështirë dhe e thellë sa ajo që ne jetojmë, të bëjë që dikush të hedhë poshtë pozicionet nacionaliste për shembull, gjithçka që na ndan, na tjetërson, që na çon në urrejtje dhe të izolojmë veten. Ndoshta do të ketë edhe nga ata që, për herë të parë, do të pyesin veten pse izraelitët dhe palestinezët kanë vazhduar të luftojnë dhe shkatërrojnë jetët e njëri-tjetrit për më shumë se një shekull, në një luftë që mund të ishte zgjidhur prej kohësh.

Përdorimi i imagjinatës në humnerën aktuale të dëshpërimit dhe frikës ka forcën e vet. Kjo na lejon të shohim jo vetëm skenarët katastrofikë, por të mbajmë një liri të caktuar mendore. Aftësia për të imagjinuar kohë më të mira do të thotë që ne nuk kemi lejuar që epidemia dhe frika të na marrin me vete. Prandaj është për t’u shpresuar që, kur rreziku i epidemisë të ketë kaluar dhe atmosfera e rimëkëmbjes do të frymojë, njerëzit do të tregojnë një gjendje të ndryshme shpirtërore: do të përshkohen nga një ndjenjë e lehtësie, nga një freski e re.

Ndoshta do të ketë ndonjë që duke parë efektet e mbrapshta të shoqërisë së mirëqenies do të ndjejë neveri nga banaliteti, do të ndërgjegjësohet se sa e tmerrshme është që të ketë njerëz shumë të pasur dhe të tjerë shumë të varfër. Që është e tmerrshme që në një botë të pasur jo të gjitha foshnjat kanë të njëjtat mundësi. Jemi pjesë e së njëjtës pëlhurë njerëzore. E mira e globit ku jetojmë është gjithashtu e jona dhe është e rëndësishme për mirëqenien tonë, pastërtinë e frymës sonë, të ardhmen e fëmijëve tanë.

Mbase edhe media e pranishme pothuajse tërësisht në jetën dhe në kohën tonë do ta pyesë veten me ndershmëri se çfarë roli ka luajtur krijimin e gjendjes së përgjithshme të neverisë që ndjenim para epidemisë.

A do të realizohen vërtetë këta skenarë? E kush e di. Nëse do të ndodhin, druhem se do të shpërbëhen shpejt dhe gjërat do të kthehen si më parë. Si para epidemisë, para përmbytjes. Është shumë e vështirë të gjesh se ç’do të ndodh deri në atë çast. Por do të bënim mirë të vijonim me pyetje, si të bëhej fjalë për një ilaç, deri sa të gjejmë vaksinën e vërtetë ndaj murtajës.

*David Grossman është ndër shkrimtarët më të suksesshëm izraelitë, librat e të cilit janë përkthyer në më shumë se 30 gjuhë të botës. Nuk ka shkruar vetëm romane, por edhe libra për fëmijë, poezi dhe opera. Në vitin 2017 ka fituar Man Booker International Prize dhe në vitin 2018 çmimin e Izraelit në letërsi. Artikulli u shqipërua nga Erjon Uka.