Showbiz

Pas tre fëmijëve mbaron “leja e lindjes” për Rihanna-n, diva rikthehet në skenë

Pas një pauze të gjatë nga muzika për t’iu përkushtuar familjes, Rihanna është rikthyer aty ku fansat e saj e kanë pritur prej vitesh: në skenë. Diva e popit bëri një dalje të rrallë live gjatë koncertit të Jay-Z në Yankee Stadium, duke surprizuar mijëra të pranishëm.

Rihanna u ngjit në skenë për të interpretuar së bashku me Jay-Z hitin “Run This Town”, ndërsa më pas dhuroi edhe një performancë solo me këngën e saj “Bitch Better Have My Money”. Ishte një nga daljet e saj më të rëndësishme publike pas disa vitesh larg skenave të mëdha.

Rikthimi vjen pas një periudhe ku këngëtarja është fokusuar te familja. Rihanna dhe partneri i saj A$AP Rocky u bënë prindër për herë të tretë në vitin 2025, me ardhjen në jetë të vajzës së tyre, Rocki Irish Mayers. Çifti ka gjithashtu dy djem, RZA dhe Riot Rose.

Për fansat, kjo dalje në skenë është një shenjë se pritjes së gjatë mund t’i vijë fundi. Rihanna nuk ka publikuar një album të ri që prej “Anti” në vitin 2016, ndërsa prej kohësh ka lënë të kuptohet se po punon për muzikë të re.

Me tre fëmijë, një perandori biznesi dhe një karrierë që e ka kthyer në një nga yjet më të mëdha të botës, Rihanna duket se po përgatitet për kapitullin e saj të ri: rikthimin!