Romancë në Trup

Në distancën tonë

Në distancën tonë

Në distancën tonë
bie dëbora e pranverës.

Kemi ngrirë në durimin tonë,
në shpresën tonë,
edhe lulet kanë frikë të preken.

Kjo s’kundërmon hiç si aromë ndarje,
porse det alkooli vetmon nëpër venat tona.
Kjo kohë e vështirë
që me lutje do donim
të avullonte si ujnajë alkooli
dhe t’i përzinim një nga një
të gjitha pasiguritë.

Me ujin e nxehtë u puthën sendet,
e sapunisur aq e kaq herë
sa dhe vijëzat e gishtave po zbehen.

Katalogje puthjesh,
deri në mpirje përqafimesh,
janë grisur fletë më fletë.

Në distancën tonë
si hapësirë mes vargjesh
dëgjojmë trenin e gjakut
me zërin e mekur të jetës.

Njerëzit s’po shihen,
sytë po na sëmuren.
Fshihen një nga një titujt e afërsive.

Në distancën tonë
sytë tanë...ura qiellore,
presin nga lart shenja mrekullish.
K.K