Seanca e fundit plenare/ Qytetarët protestë para Kuvendit

Këtë të enjte po zhvillohet seanca e fundit plenare e Kuvendit për këtë sesion parlamentar, ndërsa jashtë godinës situata është tensionuar nga protesta që vijon prej më shumë se dy orësh.
Protestuesit kanë hedhur vezë në drejtim të automjeteve të deputetëve që po mbërrinin në Kuvend. Më pas, ata kanë qëlluar me vezë dhe domate edhe efektivët e Policisë, të cilët janë kundërpërgjigjur me ujë, duke sjellë për disa minuta shpërndarjen e turmës. Protestuesit janë rimbledhur sërish para godinës së Kuvendit.
Jashtë oborrit janë dëgjuar edhe shpërthime të shkaktuara nga kapsolla të hedhura nga protestuesit në drejtim të perimetrit të sigurisë. Si pasojë e incidentit, një punonjës policie ka mbetur i lënduar.

Sipas informacioneve paraprake, lëndët plasëse kanë rënë jashtë oborrit të Kuvendit, aty ku ishin të pozicionuara forcat e rendit. Pas shpërthimeve, Policia e Shtetit ka ndërhyrë për të zmbrapsur protestuesit dhe për të neutralizuar tensionet, ndërsa situata në zonë vijon të mbetet e tensionuar.