Librat e Arlindës

Dashuria është një defekt i mrekullueshëm

Arlinda Dudaj/Romani ?Dashuria është një defekt i mrekullueshëm?është një nga librat me zbavitës që kam lexuar. Dikur, para ca vitesh, lexoja se në listën e librave që po lexonin Bill dhe Melinda Gates ishte pikërisht ky libër i australianit Graeme Simsion, madje ata thoshin se ua dhuronin vazhdimisht miqve të tyre. E çuditshme apo jo. Por teksa e lexon, mendon vrikthi që mbase Bill Gates ka parë veten e tij të pasqyruar te Don Tillmani, një profesor, mendje e ndritur e gjenetikës, por siç ndodh në këto raste me ca mangësi të dukshme në të jetuarit dhe zgjidhjet e thjeshta të jetës së përditshme. (Mbase një sindromë?). Ky libër nxit buzëqeshjen në pjesën më të madhe të kohës teksa shfleton faqet e tij, po ndërkaq vjen edhe si një reflektim serioz mbi nevojën tonë për shoqëri dhe identitet, që individi të mos humbasë në skutat e errëta të shoqërisë apo dhe të bëhet rob i vetëgjykimit.

Graeme Simsion-i e ka krijuar personazhin e Don Tillmanit duke e paraqitur atë si një rrëfyes sa të ngathët e harraq, po aq dhe të dashur e magjepsës.

Shkurt e thjesht, as më shumë e as më pak, Don Tillmani do që të martohet. E kërkon me ngulm një grua, bën plane, nis dhe e përfytyron, vetëm se... ende nuk e di se cila do të jetë ajo.

Por ja ku vjen Projekti i Gruas. Duket se projekti në fjalë do t?ia zgjidhë këtë problem të mundimshëm. Doni ka hartuar një pyetësor prej gjashtëmbëdhjetë faqesh, i bazuar tërësisht në shkencë e analiza. Një pyetësor, pra, që do ta ndihmojë të gjejë partneren e duhur, gruan e përkryer. Dhe çfarë nënkupton ai me partnere të përkryer? Në mënyrë kategorike, ajo nuk duhet të jetë banakiere, nuk duhet të pijë duhan e alkool. Por edhe ? vini re ? jo nga ato që vijnë me vonesë në takime.

Por Projekti i Gruas i mëson Donit disa gjëra të paparashikuara. Bie fjala: pse gjatësia e llapës së veshit është një tregues i pamjaftueshëm i joshjes seksuale? Pse akullorja shijon ndryshe në Nju-Jork? Pse ai nuk ka shkuar asnjëherë në një takim të dytë dashuror?

Dhe, mbi të gjitha: pse, me gjithë përpjekjet më të mira shkencore, ka nga ata që nuk e gjejnë dot dashurinë, por dashuria i gjen ata?

Faqe pas faqeje, Graeme Simsion-i na bën të kemi simpati për Donin dhe Rozin, madje të shpresojmë me ankth se ata do të dashurohen një ditë. Sepse Rozi Xharmani i ka të gjitha cilësitë për të qenë partnere e denjë. Ajo është gjithashtu e shkathët, e zgjuar dhe e bukur. Dhe ndërkaq po bën një kërkim për të gjetur babanë e saj biologjik. Në këtë kërkim mund ta ndihmojë edhe Doni, profesor gjenetike - një njeri i pangjashëm me të tjerët, i mprehtë, tejet zbavitës dhe prekës. Por jo vetëm ta ndihmojë. Edhe ta dashurojë me... argument social./Tiranapost.al