Librat e Arlindës

Ferri i Dan Brown me rrathët e Ferrit të Dante Aligierit

Nga Arlinda Dudaj/ Jo shumë vonë, por pas vetëm dy javësh Dan Brown do të rikthehet me një libër të ri, i titulluar ?Origjina?, është lajmëruar data e daljes në anglisht dhe kopertina gjithashtu, por mbetet mister për çfarë bëhet fjalë, përveç faktit që ngjarjet do të zhvillohen edhe në Barcelonën e Gaudit?

Dihet që Dan Brown, eksploron me letërsinë e tij qytetet më të bukura të botës, që i vesh misteret e tij e ngjarjet e gërshetuara me një suspans mahnitës. Ndoshta kjo është edhe arsye pse ai vijon ta tërheqë lexuesin edhe pas kaq vitesh pas suksesit të ?Kodit të Da Vinçit?. E para se të ulem të shkruaj për ?Origjina?, i cili në shqip duhet të vijë diku nga pranvera, dua të flas për një tjetër libër të tij, frymëmarrës, nga ata që të vjedhin gjithë kohën, të përpijnë urinë, të lënë pa punë e pa gjumë, derisa në 250 faqet e fundit të një romani me plot gjashtëqind faqe, të duket se po jeton në një terr ferri dhe mezi pret të dalësh pa u mbytur në ato ujëra terrorizuese e më në fund të mësosh të vërtetën përcëlluese. E cila dhe aq e bukur mund të mos jetë. Pak a shumë kështu do t?i përshkruaja ethet që përjeton lexuesi përgjatë faqeve të këtij libri plot magji.

Magji sepse mënyra sesi Dan Brown lidh ngjarjet e thrillerit me fakte të vërteta, shpjegime simbolesh brenda pikturash të njohura, librash universalë dhe veprash arti të mrekullueshme në tre nga qytetet më të bukura të botës: Firence, Venecia dhe Stambolli, është vërtet e një lloji të rrallë. Brown është mjeshtri i thrillerit, shkrimtari që cyt çdonjëri të lexojë librat e tij, edhe nga ata që leximin jo përherë e kanë qejf.

Përmes figurës së dashur të profesor Langdonit, që shpesh herë na shfaqet me portretin e Tom Hanks dhe asaj misterioze të Siena Bruks, romani na fut në një rrugëtim të ankthshëm nëpër këto qytete në kërkim të një sekreti që nuk dihet ç?është, ku distanca mes së mirës a së keqes ngushtohet aq shumë, ku shpesh lexues ijoshet nga e keqja, që mbase ndonjëherë të ngulitet si e nevojshme në nënvetëdije. Këtë lexuesi do ta kuptojë vec pasi të ketë lexuar librin, ose ata që e kanë bërë ndërkohë këtë e kanë përjetuar tashmë.

Dhe ajo shprehja e famshme në Ferrin e Dantes: ?Vendet më të errëta në ferr rezervohen për ata që ruajnë asnjanësinë në kohë krizash morale?, do të marrë kuptimin e vet universal edhe në kontekstin e ngjarjeve të hatashme të këtij libri.