Lajme nga Bota

Një video prej 16 sekondash përqafuar me shefin i ndryshoi jetën. Ish-drejtoresha rrëfen pasojat e skandalit viral

Kristin Cabot është 53 vjeç sot, nënë e dy fëmijëve dhe deri në korrik të vitit 2025, fiks një vit më parë, ishte drejtuese e Burimeve Njerëzore në kompaninë Astronomer. Pas asaj date, ajo u bë gruaja më e kërkuar në internet: vetëm 16 sekonda në “kiss cam” gjatë një koncerti në stadiumin Gillette të Bostonit, ku u shfaq duke përqafuar shefin e saj të atëhershëm, Andy Byron. Nga skena, këngëtari Chris Martin bëri shaka për një lidhje të mundshme mes tyre.

Videoja mori mbi 130 milionë shikime. Të dy dhanë dorëheqjen nga postet e tyre thuajse menjëherë. Byron u kthye te jeta e tij me bashkëshorten Megan Kerrigan dhe fëmijët e tyre. Cabot, ndërkohë, thotë se ishte ndarë disa javë para koncertit, por kjo nuk i riktheu vendin e punës.

Një vit më vonë, sipas një interviste për “The Boston Globe”, ajo ende mbetet pa punë. Ajo po jeton me kursimet e saj, përfshirë paratë që kishte lënë mënjanë për studimet universitare të fëmijëve dhe pensionin e saj.

Ajo thotë se u përball me fyerje të shumta dhe u quajt edhe “gjuetare pasurie”. Vetëm në qershor të vitit 2026 mori guximin të ndiqte sërish një koncert, këtë herë të Jack Johnson. Sipas saj, që prej asaj ngjarjeje nuk ka folur më me Byron.