
Një pjesë e rëndësishme e kolonës zanore të filmit “The Odyssey” të regjisorit Christopher Nolan ka rrënjë shqiptare. Kompozitori fitues i çmimit Oscar, Ludwig Göransson, është frymëzuar nga iso-polifonia labe dhe tingujt e instrumenteve tradicionale të barinjve të jugut të Shqipërisë për krijimin e muzikës së filmit.
Për këtë projekt, Göransson udhëtoi në jug të vendit, ku kaloi një javë duke regjistruar nga afër iso-polifoninë shqiptare, traditë e njohur nga UNESCO si Trashëgimi Kulturore Jomateriale e Njerëzimit.
“Shkova në jug të Shqipërisë dhe kalova një javë duke regjistruar një stil të lashtë të të kënduarit, të quajtur iso-polifoni, të cilin nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë në një film”, ka rrëfyer ai për New York Magazine.
Përveç këngës polifonike, kompozitori regjistroi edhe tingujt e fyellit tradicional, një instrument që përdoret prej brezash nga barinjtë shqiptarë. “Regjistruam fyellin që barinjtë shqiptarë e kanë luajtur prej mijëra vitesh”, ka treguar ai.
Göransson zbuloi edhe një detaj interesant nga puna në terren: regjistrimet përfundonin çdo ditë para orës 18:00, pasi interpretuesit duhej të ngriheshin rreth orës 04:00 të mëngjesit për t'u kujdesur për bagëtitë.
Përfshirja e iso-polifonisë shqiptare në një produksion kaq prestigjioz ndërkombëtar është një tjetër dëshmi e vlerës së jashtëzakonshme të trashëgimisë sonë kulturore. Tingujt që kanë shoqëruar jetën e brezave në jug të Shqipërisë do të dëgjohen tashmë edhe në një nga filmat më të shumëpritur, duke e bërë kulturën shqiptare pjesë të kinemasë botërore.