Librat e Arlindës

Një libër për të kujtuar… “Aroma e gjetheve të limonit” nga Clara Sanchez


Nga Arlinda Dudaj/  Libri më i fundit që ka rrëmbyer vëmendjen e lexuesit në më shumë se 20 gjuhë është pikërisht ky i shkrimtares së njohur spanjolle, Clara Sanchez, një nga zërat më të njohur të letërsisë bashkëkohore spanjolle në botë.

Një roman që meritoi shumë çmime sapo u botua, e kjo jo për pak arsye. Aroma e gjetheve të limonit sjell për lexuesin një model të përkryer të shkruari, një letërsi të mirë e po ashtu dy linja të ndërthurura bukur brenda një historie plot suspansë e mister.

Sandra dhe Huliani janë dy personazhet rreth të cilëve rrotullohen ngjarjet. Ngjarje që ulërijnë nga e kaluara e errët, dhe për Sandrën thjesht dilemat e një lidhjeje që nuk ta mbush shpirtin deri në fund. Huliani është njeriu i urtë, me zemrën e pastër, po ku vuajtjet në kampin e holokaustit të Mathauzenit kanë lënë vraga të pashlyeshme duke mbjellë aty përjetësisht urrejtjen. Urrejtje që materializohet te dy nga personazhet më të pabesueshëm, po njëkohësisht po aq gjakatarë të pleqve Fredrik dhe Karinë, dy ish nazistë të arratisur nga darët e dënimit të pas luftës së dytë botërore.

“Asgjë nuk është ashtu si duket”, kjo shprehje gjen shumë kuptim brenda këtij romani që të mban mbërthyer rrëfimit të mrekullueshëm të Sanchez. Zbulimi i tmerrshëm i Sandrës, që vjen faqe pas faqeje, dalëngadalë, të fut në një të kaluar të hidhur, shumë të largët, por po aq të paharruar për njerëzit që provuan mbi lëkurë horrorin e holokaustit nazist. Njerëz si Huliani, Salva e të tjerë nuk do t’i bjerrin kurrë nga kujtesa jetët e shkatërruara njëherë e përgjithmonë nga qenie që sot jetonin sikur asgjë të mos kish ndodhur, madje me po të njëjtën krenari për superioritetin arian, dhe me kurrfarë pendese, as edhe një të vetme për atë që kishin shkaktuar.

Ka shumëçka në këtë libër, madje ky mund të jetë një nga çelësat e suksesit të tij, i ndryshëm nga shumë të tjerë që trajtojnë nazizmin, gjithëpërfshirës e plot ngjyra. Ka brenda tij të gjitha ndjenjat e ndjesitë: dashuri, rini, frikë, urrejtje, hakmarrje, emocion, poshtërim, krenari, vdekje…gjithçka kërkon e gjen aty brenda. E po ashtu edhe aromat e një ishulli të mrekullueshëm spanjoll, bashkë me aromën e gjetheve të limonit. / tiranapost.al

arlinda