Stil jete

Tregtia e paligjshme dhe kontrabanda, miliarda të humbura nga taksat dhe dëm për bizneset 

Çdo ditë, mijëra produkte kalojnë kufijtë në mënyrë të paligjshme, duke shmangur kontrollet doganore, pagesën e taksave dhe standardet e sigurisë. Nga cigaret dhe alkooli, te barnat, kozmetika, elektronika, lodrat apo mallrat luksoze, tregtia e paligjshme është shndërruar në një nga ekonomitë informale më fitimprurëse në botë, me pasoja të drejtpërdrejta për financat publike, konkurrencën e ndershme dhe sigurinë.

Edhe Shqipëria nuk mbetet jashtë këtij fenomeni. Pozicioni gjeografik, kufijtë tokësorë, detarë, por edhe ajrorë, si edhe flukset tregtare me vendet e Bashkimit Europian, e bëjnë vendin pjesë të korridoreve që shfrytëzohen nga rrjetet e kontrabandës. Në shumë raste, mallrat hyjnë ose dalin nga vendi përmes rrugëve të paligjshme, ndërkohë që ka shumë raste të kalimit të produkteve “me çanta”, ndërsa një pjesë e tyre transportohen drejt tregjeve europiane, duke dëmtuar jo vetëm ekonominë shqiptare, por edhe atë të vendeve të destinacionit.

Në pamje të parë mund të duket si një mënyrë për të siguruar mallra më të lira, por kostoja reale është shumë më e madhe. Çdo produkt i kontrabanduar është një taksë e papaguar, një biznes i ndershëm që humbet treg, një investim që nuk realizohet dhe një burim financimi për grupet kriminale.

Sipas vlerësimeve të Forumit Ekonomik të Davosit, vlera e tregtisë së paligjshme në nivel global arrin nga 1.6 deri në 2.2 trilionë dollarë në vit. Vetëm produktet e falsifikuara dhe të piratuara përbëjnë deri në 2.5% të tregtisë botërore, me një vlerë prej rreth 464 miliardë dollarësh.

Një nga sektorët më të goditur mbetet ai i duhanit. Cigaret konsiderohen ndër mallrat më të kontrabanduara në botë për shkak të fitimeve shumë të larta dhe rrezikut relativisht të ulët për trafikantët. Vlerësohet se deri në 15% e produkteve të duhanit të konsumuara globalisht janë të paligjshme, ose rreth 500 miliardë cigare në vit.

Pasojat financiare janë të konsiderueshme. Vetëm nga kontrabanda e cigareve, qeveritë në mbarë botën humbasin çdo vit 40 deri në 50 miliardë dollarë të ardhura nga taksat. Këto janë fonde që në kushte normale do të përdoreshin për investime në shëndetësi, arsim, infrastrukturë apo shërbime publike.

Nga ana tjetër, tregtia e paligjshme krijon një konkurrencë të padrejtë për bizneset që respektojnë ligjin. Kompanitë që importojnë, prodhojnë dhe tregtojnë sipas rregullave paguajnë tatime, akciza, TVSH dhe përballojnë kostot e standardeve të cilësisë. Ndërsa produktet kontrabandë futen në treg pa këto detyrime, duke u shitur me çmime më të ulëta dhe duke deformuar konkurrencën.

Ekspertët vlerësojnë se ky fenomen dëmton klimën e biznesit, ul investimet dhe krijon një mjedis ku operatorët e ndershëm penalizohen përballë atyre që veprojnë jashtë ligjit.

Problemi nuk kufizohet vetëm te ekonomia. Produktet e paligjshme shpesh prodhohen jashtë çdo standardi, në kushte të pakontrolluara dhe pa garanci për sigurinë e konsumatorit. Kjo është veçanërisht shqetësuese për produktet farmaceutike, kozmetike, lodrat për fëmijë apo produktet e duhanit, të cilat mund të përmbajnë përbërës të panjohur ose të rrezikshëm.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm është lidhja e drejtpërdrejtë mes kontrabandës dhe krimit të organizuar. Organizata ndërkombëtare vlerësojnë se fitimet nga tregtia e paligjshme përdoren shpesh për financimin e aktiviteteve të tjera kriminale, si trafiku i drogës, trafikimi i qenieve njerëzore, pastrimi i parave dhe forma të tjera të krimit ndërkombëtar.

Në rastin e cigareve, fitimet janë jashtëzakonisht të larta. Kostot e prodhimit të një pakete të paligjshme mund të jenë rreth 0.20 dollarë, ndërsa një kontejner me 10 milionë cigare kontrabandë mund të gjenerojë fitime që arrijnë deri në 2.3 milionë dollarë, çka shpjegon pse ky aktivitet mbetet kaq tërheqës për rrjetet kriminale.

Përballë kësaj situate, lufta kundër kontrabandës nuk është vetëm përgjegjësi e doganave apo policisë. Ajo kërkon bashkëpunim ndërkombëtar, shkëmbim inteligjence, përdorim të teknologjive të gjurmueshmërisë së mallrave, kontrolle më efikase në kufi dhe masa ligjore që e bëjnë koston e aktivitetit kriminal më të lartë se përfitimi.

Për vende si Shqipëria, që synojnë integrimin europian dhe forcimin e shtetit ligjor, frenimi i tregtisë së paligjshme është një domosdoshmëri ekonomike. Çdo paketë cigaresh, çdo produkt apo mall që hyn në mënyrë të paligjshme në treg nuk përfaqëson vetëm një humbje fiskale, por një goditje ndaj konkurrencës së ndershme, besimit te institucionet dhe zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë.