Unë dua ta lexoni të gjithë Alice Munro sepse për jetën kemi shumë pyetje

Arlinda Dudaj/ ?Është shkrimtarja më pa frena që kam arritur të lexoj në këtë jetë, më elegantja e po ashtu edhe më pa doreza?, thotë shkrimtari i shquar Jeffrey Eugenides për shkrimtaren kanadeze Alice Munro, e cila u shpall fituese e çmimit Nobel për letërsinë në vitin 2013.
Një shkrimtare që ka fituar thuajse çdo çmim të mundshëm letrar. Ky libër, Dear life, E shtrenjta jetë është titulli në origjinal i përmbledhjes së trembëdhjetë me tregime të Alice Munro-së që të jep ndjesinë se do të përçojë mesazhin që vetë ajo ka dhënë në të gjitha intervistat e këtyre viteve të fundit: Të shkruash për jetën, si për të dalë gjallë prej saj. Të mbahesh fort pas fillit të rrjedhës së fjalëve të tua e të mos e lësh të ikë. Ta tendosësh edhe një herë e të kthehesh tek esenca e rrëfimit. Ta mbyllësh, ndoshta, me një nyjë që bashkon katër pjesët e fundit të këtij libri që, siç thotë vetë autorja, janë ?autobiografikë nga mënyra sesi ndihem, kryekëput e përfshirë, brenda ngjarjeve. Të parat e të fundit gjëra - dhe më personalet - që kam për të thënë mbi jetën time?.
Figura e personazhe interesante vijnë në çdo tregim, si për shembull protagonistja në arrati e tregimit Treni, e cila po përshkon stacionet e përvojave të saj jetësore por edhe të të tjerëve, me vështrimin e një pasagjeri të zakonshëm në zgrip të jetës.
Apo tregimi Me pamje nga liqeni, që kalon si nëpër një lupë rrugëtimin e kujtimeve të një të moshuare drejt një të kaluare të pakorrigjueshme.
Kështu vijnë tregimet e Munrosë, duket sikur çdo gjë nis thjesht, pa ndonjë qëllim të veçantë, po në fund të çdo tregimi, gjen një zgjidhje të pabesueshme, tronditëse e që të bën të mos mundesh t?i harrosh për një kohë të gjatë, e në këtë mënyrë të krijon gati një varësi ndaj shkrimeve të saj.
Ja, kjo është gjithçka mbetet për t?u thënë, kjo është gjithçka që mund të gjejë lexuesi tek ?E shtrenjta jetë?: gjurmët e një materiali radioaktiv, i rrezikshëm e i pushtetshëm, që ka përshkuar e dritësuar të gjitha historitë./ Copyright Tiranapost.al