Tip Talk

11 pyetje nga TIP/Ylljet Aliçka: Tre njerëzve do t’ua lija çelësin e shtëpisë

Po të kisha në dorë të ndryshoja fate, një prej tyre mendoj ka qenë prishja e aleancës me misionet anglo-amerikane fill pas Luftës së Dytë Botërore. Them se po të mos ndodhte kjo, rrjedha e historisë do kish qenë rrënjësisht fatlume për shqiptarët…

11 pyetje nga TIP/Ylljet Aliçka: Tre njerëzve do t’ua lija

Mira Kazhani: Çfarë është një njeri me humor? Ka fuqi joshëse!

Ylljet Aliçka: Pranohet se humori është antidot apo armë kundër absurditeteve të jetës, me fuqi joshëse, si për gruan ashtu dhe për të lehtësuar marrëdhëniet sociale. E rëndësishme është ta zotërosh atë mjeshtërisht, pra, me dozën e duhur dhe ta përjetosh atë, duke pasur më shumë si objekt situatat absurde se sa individin. Fatmirësisht, jeta jonë është plot incidente absurde.

Mira Kazhani: Po njerëzit që nuk e kuptojnë, dhe më keq akoma as nuk e zotërojnë si veti...

Ylljet Aliçka: Në një farë mënyre, secili bën humor apo e kupton humorin sipas natyrës së tij, madje, them se ekziston një hierarki humori, jo vetëm mbi bazë personaliteti, niveli kulturor, inteligjence, por edhe kombësie. Bie fjala, pa dashur ta përgjithësoj, një gjerman shkrihet gazit p.sh. kur qëllon që i bie pa dashje piruni nga tavolina në tokë, teksa një francez ndodh dhe që bën humor tek e gjen bashkëshorten në shtrat me një të huaj dhe e përgëzon atë se ka lindur me fat që qëlloi ai, pra i shoqi, se po të qëllonte t’i kapte i dashuri i vërtetë i gruas, ai, i huaji pra, të gjente vend ku të futej… Personalisht jam shumë i tërhequr nga humori i kinematografisë neorealiste italiane apo ironia, humori te veprat e Hajnrih Bëlit, Hose Saramagos apo Garcia Markesit..

Mira Kazhani: Ju me çfarë situate keni qeshur shumë aq sa keni derdhur lot e iu është marrë fryma?

Ylljet Aliçka: Sipas periudhave: Kam kaluar një fëmijëri mëhalle me mjaft aventura komike. Më kujtohet, do kem qenë rreth 9 vjeç, kur unë me shokët e mi do hakmerreshim ndaj maçokut të familjes së dibranit, që kishte rrëmbyer pabesisht racionin e mishit të një shokut tonë, Bucit, teksa ai po e lante mishin te çezma e mëhallës. Babai i Bucit, një berber pijanik, e rrihte Bucin edhe kur ishte i dehur edhe kur ishte esëll, dhe ne, nga përvoja e dinim mirë se ç’do t'i punonte ai Bucit në rastin e humbjes tragjike të racionit të mishit të javës. Pas rrahjes përkatëse të Bucit, ne shokët e tij u vumë në kërkim të maçokut për të marrë hak. Maçoku ish fshehur në pullazin e bahçes së dibranëve dhe kur e zbuluam dhe i kërkuam të zotit të bahçes të na lejonte kapjen e maçokut, ai na u hakërrye: “Unë s’kam maçok për të dorëzuar, e njoh mirë maçokun tim, ai nuk vë dorë... desha të them gojë te mishi i tjetrit…”. Dibrani nuk e dorëzoi maçokun, ndërsa ne u hakmorrëm duke i shembur natën murin me qerpiç të bahçes. Por koha kur kam qeshur më shumë ka qenë periudha studentore... Rastet kanë qenë të shumta, kujtoj kohën me bastet e rrezikshme se kush do hante më shumë ingranazhe apo llokume brenda një ore, që jo rrallë përfundonin me shtrime në urgjencën e spitalit...

Mira Kazhani: Nëse do kishit fuqinë magjike për të ndryshuar fate, cilin moment do preknit në historinë e Shqipërisë?

Ylljet Aliçka: Një prej tyre mendoj ka qenë prishja e aleancës me misionet anglo-amerikane fill pas Luftës së Dytë Botërore. Them se po të mos ndodhte kjo, rrjedha e historisë do kish qenë rrënjësisht fatlume për shqiptarët…

Mira Kazhani: Nëse do korigjonit diçka nga viti 2019?

Ylljet Aliçka: Dukuritë tashmë klasike: korrupsionin… kriminalitetin…

Mira Kazhani: Cilit prej tyre do t’ia lije çelësat e shtëpisë: Edi Ramës, Ilir Metës, Lulzim Bashës, Gramoz Ruçit, Erjon Veliajt, Ditmir Bushatit, Albin Kurtit, Ramush Haradinajt, Hashim Thaçit, Sali Berishës (Jeni ne një situatë ku s'keni asnjë zgjidhje dhe duhet patjeter njëri prej emrave më lart)

Ylljet Aliçka: Nuk besoj se e ke fjalën për solidaritetin apo rropatjen e meshkujve për gjetjen e një çelësi shpie “sa për dy orë”…? Nga emrat që më përmend, nuk duhet të jetë fjala për këtë lloj solidariteti, por për besueshmëri të një natyre tjetër. Në këtë listë gjej disa të tillë, por po mjaftohem me dikë që kam pasur dhe ndonjë përvojë personale (në forume ndërkombëtare), Albin Kurtin.

Mira Kazhani: Tani po e çliroj pyetjen nga kushtet, ju vetë kë do zgjidhni për t’i lënë çelësin e shtëpsië?

Ylljet Aliçka: Ndër emrat që më vijnë tani ndër mend: At Zef Pllumi, Arbën Xhaferri…

Mira Kazhani: Çfarë nuk beson më ?

Ylljet Aliçka: Ndofta vargjet popullore për burrërinë shqiptare: Kjo Shqipëri ka nxjerrë kaq trima, si nxjerr qielli bubullima. Siç jan’ mbush’ malet me gurra, kjo Shqipëri asht mbush’ me burra

Mira Kazhani: Ju jeni skenaristi i filmit të Xhuvanit, "Parullat". Ai vdiq. Çfarë ishte kujtimi i parë që ju erdh?

Ylljet Aliçka: Pas keqardhjes, të vijnë spontanisht në mend momentet e këndshme të kontakteve me të. Veç projektit të përbashkët me filmin "Parrullat", me Gjergjin na bashkonte dhe dashuria për verën dhe më kujtohet, aty nga viti 2001, ishim të ftuar në Paris për premierën e filmit dhe ditën e nesërme, pra, kur kishim mbaruar punë, po ecnim kot në mbrëmje nëpër rrugët e Parisit, duke kërkuar ndonjë kioskë të lirë me qebap, e duke qarë hallin se nuk na dilnin paratë për luksin e ndonjë gote verë (producenti, një çifut, nuk na dha, apo na dha shumë pak para xhepi), papritmas, si me magji, gjejmë të shpërndara mbi trotuar një tufë monedhash metalike një a dy euroshe, që duket i kishin rënë dikujt në vrap e sipër aty pranë ish-një stacioni autobuzi. Monedhat qenë shpërndarë në një hark prej dhjetëra metrash, sa na u desh të dyve të hiqeshim një copë herë zvarrë në kërkim monedhash, nën shikimin kurreshtar të kalimtarëve, derisa u bindëm se nuk kish më monedhë mbi tokë. Pamë që kalimtarë të tjerë nisën të hiqeshin zvarrë në kërkim... Kur i mblodhëm, pamë se na rezultuan mjaftueshëm për më shumë se një shishe verë…

Mira Kazhani: A e keni ju frikë vdekjen? Sikur të ishte dhe ajo me plan, si do ta organizonit?

Ylljet Aliçka: Pa dyshim që e kam, madje më shumë, vdekjen me vuajtje. Po ta kisha në dorë, preferoj vdekjen në gjumë apo papritmas, duke bërë jetë aktive…

Mira Kazhani: Çfarë është dashuria?

Ylljet Aliçka: Diçka më kujton kjo fjalë…

Mira Kazhani: Po jeta?

Ylljet Aliçka: Pa fjalën e mësipërme, do më dukej bosh!

Ylljet Aliçka është shkrimtar dhe skenarist, diplomat dhe pedagog

Mira Kazhani për rubrikën “11 pyetje nga TIP”/Tiranapost.al