Biseda TIP/ Rudina rrallë rrëfen për veten, po kur e bën duhen mbajtur shënime
TIP: Rudina, a del për të pirë kafe në Bllok? Nëse po, kur ke qenë për herë të fundit?
Rudina Xhunga: Lëre, se boll meme kam parë këto kohë. Me Bllokuuuun. Disa prej tyre i vura edhe vetë në Instagram. Ishin shumë të bukura. Kam qeshur edhe unë si shumëkush i bëri dhe shpërndau, edhe pse isha personazh. Fuqia e komikes është magjike. Është e pakrahasueshme me mënyrën serioze të komunikimit. Tani njerëzit e duan në këtë mënyrë informacionin, përzier me humor, ironi. Ndaj i shijova memet “te Bllokuuuu”. Duke u kthyer te pyetja, unë nuk pi kafe te Blloku.
TIP: Ke frikë dhe të duket skandal...
Rudina Xhunga: Meme prapë. Me ngjante emisioni këtë herë si Portokallia. Nuk reshtin memet. Çfarë talentesh kemi, që kanë pushtuar boten digitale. Unë rri dhe i gjej, i ndjek, i pëlqej, edhe kur më tallin mua.
TIP: Si e mbajte veten e nuk qeshje me mimikat e Edi Ramës apo kur të imitonte ty?
Rudina Xhunga: Unë, kur jam live, jam serioze, jo si tani që bëj 100 batuta e autoironi për veten. Por jo aq serioze, sa ta trajtoj si tragjedi debatin në studio. Ishte debat i fortë televiziv, ku palët ishin përballë dhe ndjeshmëria e vëmendja e publikut qe maksimale.
TIP: I pe videot dhe memet? Çfarë të kanë thënë në përgjithësi?
Rudina Xhunga: Është ndjekur kaq shume, live, rrjete sociale, youtube, si të ishte spektakël, sepse ato kanë shikueshmëri maksimale tani. Politika ka kohë që nuk tërheq.
"Me Alanën komunikoj si e madhe. E kam bërë që herët. Po më pyeste një ditë se çfarë është më e rëndësishme në jetë. Jeta vetë, i thashë, Pastaj, kur i kërkova të bejë detyrat, ma ktheu: Nuk janë të rëndësishme. E rëndësishme është jeta!"
TIP: A është e vërtetë që emrin "Shqip" jua ka gjetur Edi Rama, në atë kohë kryebashkiak dhe mik i vjetër i kohës së gazetarisë për ju?
Rudina Xhunga: Po, është e vërtetë. Qe një kërkim për emrin e duhur dhe asnjë nuk më pëlqentë mua, ose Tanit të Topit, ose Bejtes, ose Pustinës, ose gjithë kolegëve të Topit të vjetër. Donim një emër shqip. Rama, që ishte njeriu i fjalës së duhur dha idenë, po quaje "Shqip". U pëlqeu të gjithëve dhe pasi nisi emisioni, fjala ngjiti aq shumë, sa u përhap në media e logo të tjera.
TIP: Dukeni njeri tjetër me Alanën, shfaqeni më shumë me të, mbesat e nipërit. A është gjithçka kjo tani?
Rudina Xhunga: Është. Me Alanën komunikoj si e madhe. E kam bërë që herët. Po më pyeste një ditë se çfarë është më e rëndësishme në jetë. Jeta vetë, i thashë, Pastaj, kur i kërkova të bejë detyrat, ma ktheu: Nuk janë të rëndësishme. E rëndësishme është jeta! Kështu shkon kjo punë. Ajo më mëson mua, unë atë. Dhe qenia e saj dhe e mbesave e nipërve të mi më ka tjetërsuar.
TIP: Jeni aq e dashuruar me Dritanin sa dukeni në instagram? Si bëhet dashuria pas të 40-tave?
Rudina Xhunga: Instagrami është ajo çfarë duam të tregojmë. Bëjmë 10 prova e futim 100 filtra, derisa del fotoja ideale. Po të harxhojmë kaq kohë që ta bëjë të funksionojë marrëdhënien tonë sa ç'harxhojmë ta bëjmë të duket, kushedi sa mirë do qenë raportet tona me burrat, të dashurit, fëmijët, veten. Po unë nuk rri shumë në Instagram. Nuk po flisja për veten, me një fjalë.
TIP: A e mësove makinën? Apo vazhdon ende të jesh frikacake?
Rudina Xhunga: Nuk e ngas makinën. Kam mungesë përqendrimi thoshte shoferi që më mësoi vite më parë. Mbase!
Pse nuk e mëson? Është diçka e bukur dhe të jep liri!
Rudina Xhunga: Mbase. Unë e stresoj aq shumë Dritanin kur është timon, sa do detyrohet të më mësojë. Dua patjeter t'i them kujdes 100 herë. Vetëm një herë kur përplasi një makinë në semafor, nuk fola.
TIP: Cili është vendi që të jep ndjenjën e lirisë? Po të dashurisë? Po të vetmisë? Po të keqardhjes?
Rudina Xhunga: Të lirisë, Londra. Të dashurisë, shiu. Të vetmisë, cigarja. Të keqardhjes, Kopshti Zoologjik në Tiranë.
TIP: A do doje të kishe më shumë para? P.sh. po të ishe e pasur çfarë nuk do bëje kurrë?
Rudina Xhunga: Para kam sa më duhen. Nuk jam person shumë i lidhur me paranë. Kush më njeh, e di që shpesh pyes: Po paratë përse i duan? Çfarë po bëjnë këta me kaq shumë para, që une s'e kuptoj? Me më shumë para do udhëtoja më shumë. Por, udhëtoj, pavarësisht.
“Instagrami është ajo çfarë duam të tregojmë. Bëjmë 10 prova e futim 100 filtra, derisa del fotoja ideale. Po të harxhojmë kaq kohë që ta bëjë të funksionojë marrëdhënien tonë sa ç'harxhojmë ta bëjmë të duket, kushedi sa mirë do qenë raportet tona me burrat, të dashurit, fëmijët, veten.”
TIP: Meqë jemi tek paratë, more atë që negociove me "News 24"?
Rudina Xhunga: Mora më shumë. Iu bashkova një grupi dhe punoj me një staf të pazakontë për median shqiptare.
TIP: A ke bërë gabime në jetë për të cilat je penduar?
Rudina Xhunga: Po, kam bërë dhe bëj. Nuk ka ndonjë vlerë, pendohem apo jo. Rëndësi ka të mos i përsëris, po të bëj gabime të reja.
TIP: Ku do doja të jetoje? Po të vdisje?
Rudina Xhunga: Këtu ku jam, të jetoj dhe prehem. Në Atdhe.
TIP: Si do e përshkruaje, sinqerisht, Rudinën e sotme?
Rudina Xhunga: E qartë për çfarë ka, e sigurt për çfarë do. Por e frikësuar mos bie shi dhe Alana nuk ka veshur çizmet.
TIP: Si ishte ajo shprehja që u the disa studentëve? Më mirë i marrë se i mjerë? Ti ku e fut veten?
Rudina Xhunga: E marrë përgjithmonë dhe me shkëputje.
Bisedoi Mira Kazhani
Tiranapost.al
Biseda Tip është një prodhim autentik i tiranapost.al dhe gazetares Mira Kazhani, dhe nuk lejohet kopjimi dhe postimi i plotë i intervistës nga asnjë portal tjetër.