Aktualitet

Vrau ish-vjehrrin, plagosi ish-vjehrrën dhe mori peng ish-bashkëshorten, ngjarje e rëndë në Fier

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm fshatin Vidhisht, në Roskovec, ku një 35-vjeçar dyshohet se ka vrarë ish-vjehrrin, ka plagosur ish-vjehrrën dhe më pas ka marrë peng ish-bashkëshorten e tij.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Fierit, rreth orës 06:00, shtetasi me iniciale R. B., 35 vjeç, dyshohet se ka qëlluar me armë gjahu ndaj ish-vjehrrit të tij, K. P., 58 vjeç, i cili ka humbur jetën në vend. Nga të shtënat ka mbetur e plagosur edhe ish-vjehrra, B. P., rreth 55 vjeçe, e cila ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Pas krimit, autori dyshohet se është larguar nga vendngjarja me automjet, së bashku me ish-bashkëshorten e tij, R. P., të cilën dyshohet se e ka marrë peng, duke marrë me vete edhe armën e gjahut.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, kanë ngritur pika kontrolli dhe kanë nisur kontrolle intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor.