YouPost

Një Fake News nga viti '97 që i nisi kuksianët për luftë

Një thirrje e rremë në radio ngriti në këmbë qytetin e Kukësit në muajin Mars të 1997-ës dhe i detyroi ata të largoheshin nga shtëpitë por edhe të rrëmbenin armët për të luftuar ushtrinë serbe.
Një Fake News nga viti '97 që i nisi kuksianët për

Banorët e qytetit të Kukësit e kanë akoma të freskët momentin kur më 12 Mars të vitit 1997, militantë partiakë pushtuan ambientet e Radio Kukësit duke lajmëruar “pushtimin e qytetit nga ushtria serbe” e duke shkaktuar panik e frikë mes banorëve e duke i detyruar ata të braktisin shtëpitë.

“Merrni armët e dilni të luftoni se po vijnë serbët,” mjaftuan këto fjalë që burrat të vraponin drejt shtëpive, gratë të dilnin në rrugë për të gjetur fëmijët e nënat shamibardhë të sillnin ndër mend me lot në sy tmerret e përballjes me forcat serbe në Betejën e Lumës në vitin 1912. Rreziku i përjetuar nga ajo thirrje e tmerrshme në radio, një Fake News i një epoke pa portale, shtyu njerëzit të merrnin plaçkat e t’i mbathnin: dikush në mal, dikush në fshat e dikush drejt kryeqytet.

Njerëzit që nuk kishin makinë, mbajtën mbi shpinë veshmbathje, jorganë e thasë me miell e bashkë me fëmijët në djep vraponin drejt fshatit më të afërt për të gjetur strehë. Edhe ne ia mbathëm drejt fshatit. Në një makinë të vjetër Benz, u futëm mbi 10 vetë, bashkë me djalin e vogël të familjes akoma i mbështjellë në djep. Rrugës për në fshatin Nangë, fushat jashtë Kukësit ishin plot me njerëz që vraponin. Nuk do ta harroj kurrë pamjen e një plake me shaminë e bardhë në kokë që nuk vraponte dot si të tjerët por as dëshironte të ndalej për të marrë frymë.

Asokohe nuk kishte as telefona të mençur dhe as internet për të marrë vesh diçka më shumë dhe thashethemi u përhap me aq shpejtësi sa sytë të gjithë i kishin sytë nga Morina. Shumë burra, mes të cilëve edhe të afërm të mi, morën armët e rendën drejt doganës për të mbrojtur qytetin duke u dhënë lamtumirën nënave, fëmijëve e grave shtatzënë të cilat me dorën tek barku, qanin me ngashërima. Pritja ishte e ethshme. Ne u fshehëm në një bodrum dhe prisnim në heshtje për të dëgjuar qoftë edhe një krismë. Ajo nuk erdhi kurrë, sepse siç na njoftuan dajallarët pas disa orësh pritje me armë në krah në doganë, kjo e fundit ishte bosh, madje ishte braktisur edhe nga oficerët shqiptarë që ia kishin mbathur me të katra. Në doganë, numëroheshin 3 a 4 ushtarë serbë që ishin ofruar të ruanin ndërtesën e doganës. Njerëzit kuptuan që kishin rënë pre e një mashtrimi dhe u kthyen në shtëpitë e tyre me gëzimin e të qenit gjallë dhe urrejtjen e thellë për lajmësit që ato kohë për Kuksianët u bënë më të urryeshëm se ushtarët serbë.

/ Copyright/ Tiranapost.al.