'#TiranaLexon2018' çel serinë e aktiviteve me sloganin ‘Tirana Lexon për të kujtuar“ ditën e hënë. Në qendër të leximeve dhe diskutimeve do të jetë tema “Identiteti dhe kujtesa”. Autorë të njohur vendas dhe të huaj do ndajnë me publikun qasjet e tyre autobiografike në veprat e tyre dhe pengesat e hasura në procesin identifikues nga e shkuara e deri më sot.
Autorët special të ftuar në këtë edicion të #TiranaLexon fillojnë me një emër të dashur për të gjithë, shkrimtaren shqiptaro-zvicerane Besa Myftiu, për të vijuar me autorin gjerman Karsten Dümmel dhe antropologun e njohur kulturor Albert P. Nikolla. Pa harruar kritikun dhe gazetarin Agim Baçi dhe autorët Saimir Muzhaka, Gëzim Peshkëpia.
Risia e këtij edicioni do jetë 'Kuarteti Letrar' (24 tetor), një nismë e ideuar nga drejtoresha e IDMC-së Jonila Godole, e cila në vetvete synon njohjen dhe kritikën e katër veprave të ndryshme letrare, prezantuar në Kuartet nga shkrimtarë, njohës të letërsisë dhe gazetarë.
Veprat që do diskutohen në Kuartetin Letrar do jenë: “Kohë e pamjaftueshme” nga Helena Kadare, “Valsi i lumturisë” nga Ylljet Aliçka, “A është vallë njeri?” nga Primo Levi, dhe “Më kujtohet" nga Ylli Demneri.
Aktiviteti do të zgjasë tri ditë, dhe do të startojë më datë 22 Tetor në orën 10.00 në sallën Europa House me praninë e Ministres së Kulturës Mirela Kumbaro. Për të vijuar më pas me leximin e veprës së Besa Myftiut nën moderimin e Profesoreshë Lili Sula, studiuese letërsie.
Në ditën e dytë, më datë 23 Tetor, Tirana Lexon ju fton në lexime dhe diskutime me autorin e njohur gjerman Karsten Dümmel i cili për shkak të qëndrimit të tij kritik në Gjemaninë Lindore u përndoq dhe u persekutua për vite me radhë. Shkatërrimi i identitetit njerëzor në regjimin komunist shqiptar do tematizohet nga antropologu i njohur Albert P.Nikolla, autor i librit „Njeriu i ri shqiptar“.
Aktiviteti #TiranaLexon inicuar nga IDMC që në vitin 2015, synon të afrojë publikun me librin dhe ta kthejë leximin në një trend, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera. Për këtë arsye,
#TiranaLexon për të kujtuar do të ndalet edhe në dy shkolla, gjimnazin 'Isa Boletini' në Vorë më datë 23 Tetor, dhe atë ‚Ismail Qemali‘ në Tiranë, më 24 Tetor, ku nxënës dhe mësues të këtyre shkollave do të diskutojnë me autorët shqiptarë Agim Baçi, Saimir Muzhaka dhe Gëzim Peshkëpia.
#TiranaLexon2018 do të mbyllet me Kuartetin Letrar, më 24 Tetor, në Sallën Franceze të Leximit, në Biblotekën Kombëtare me kontributin e ekspertëve Jonila Godole (moderatore), Agim Baçi, Ledia Dushi dhe Beti Njuma./ Për më shumë informacion klikoni në këtë link.
Postuar në Tiranapost.al.
