Ta thotë doktoreshë Silva

A duhet t’i “bësh” buzët?

A duhet t’i “bësh” buzët?

Nga Dr. Silvana Mishtaku/ Çdo epokë ka patur standardet e saj dhe figurat përfaqësuese të bukurisë. Në ditët e sotme parapëlqehen fytyrat me tipare evidente, si vetulla të trasha, mollëza të prera, hundë e vogël dhe e drejtë, nofulla të mirëkonturuara e buzë të plota e mishtore. Por a duhet gjithmonë të kërkojmë shtim volumi të buzëve? Nëse po, sa të plota, çfarë forme? Si t’i “bëj“, por të mos dukem “e bërë”?

Në radhë të parë duhet të kemi parasysh që sado të bukura të jenë buzët, s’do të bien aq mirë në sy në qoftë se nuk “rrijnë në një fytyrë me lëkurë të shëndetshme (jo gjithmonë do të doni të përdorni make up), ndaj fokusi kryesor duhet të jetë lëkura e më pas buzët… Shpesh herë nuk kuptojmë se domosdoshmëria e fytyrës është trajtimi i akneve, njollave e papastërtive të lëkurës, ndërsa buzët e plota janë një plus më shumë (jo gjithmonë!).

Në radhë të dytë, kur flasim për buzë më të plota duhet të kemi parasysh se duhet të jenë më të plota në raport me fytyrën në tërësi dhe tipare si hunda e mjekra. Natyra ka krijuar disa raporte të quajtura ideale, të cilat përsëriten në natyrë, në trupin e njeriut dhe në fytyrë. Kështu për shembull, volumi i buzës së sipërme me të poshtmen qëndron në raportin 1 me 1.6. Ndaj injektuesi përpiqet që buzën e poshtmë ta bëjë pak më voluminoze se të sipërmen. Përveç këtij raporti duhet patur parasysh edhe largësia e buzës së sipërme nga maja e hundës (që mos të rrezikojmë një buzë të ngjitur me hundën) dhe largësia midis buzës së poshtme me majën dhe formën e mjekrës (sërish raporti i largësisë buzë e sipërme-hundë me buzë e poshtme-mjekër është rreth 1.6). Ndaj, nëse do më pyesnit se sa ml acid hialuronik do t’ju injektoja, do t’ju përgjigjesha: “Aq sa me lejojnë tiparet tuaja dhe jo më shumë se 1 ml në një seancë”.

Mund të doni buzë të plota si të Angelina Jolie-së, por nëse keni një fytyrë trekëndore apo në formë zemre (me bazë sipër, mjekër të vogël) dhe tipare të imëta, mendoj se duhet të ndërroni mendim, ndërsa në fytyrë ovale (që konsiderohet nga shumica si fytyra ideale) apo të rrumbullakët, buzë të tilla do të harmonizonin tiparet tuaja, pa u dukur të ekzagjeruara.

Përveç raporteve të balancuara midis buzëve, kërkohet një hark kupidi evident, kontur i bukur dhe i qartë, kënde të plota dhe simetri midis dy anëve, jo vetëm në gjendje qetësie, por edhe në lëvizje dinamike (kur flisni, qeshni etj).

Gjithsesi, një këshillë: mos shkoni tek mjeku me foton e dikujt tjetër, duke i kërkuar buzët e tij. Në qoftë se doni të ruani identitetin tuaj, kërkoni aplikime të tilla që synojnë jo vetëm shtim volumi, por edhe korrigjim asimetrie dhe harmonizim të gjithë tipareve të fytyrës, pasi në shumë raste ndryshimi i formës dhe volumit të buzëve fsheh edhe difekte të formës së nofullave, madhësisë së mjekrës apo dhe të hundës, formës së harkut të dhëmbëve ashtu siç mund të rrezikojë t’i krijojë e t’i theksojë difektet tuaja.

E fundit për këtë shkrim: Shpesh duke kërkuar materiale sa më afatgjata (efekti i acidit hialuronik zgjat në varësi të llojit dhe sasisë, mesatarisht 6-9 muaj) që të shmangen injektimet e shpeshta, kërkohen material si silikoni etj., lëndë afatgjata, por lëndë të tilla jo vetëm që janë të rrezikshme, të pakorrigjueshme dhe që nuk ndryshojnë si pjesa tjetër e fytyrës me kalimin e viteve (nuk do të jemi gjithmonë te të njëzetat!) duke rrezikuar të mbeten përjetësisht të huaja në portretin tonë!

*Autorja Dr.Silvana Mishtaku është dermatologe-venereologe, Klinika Vivia, Spitali Amerikan 3

Email: [email protected]

Instagram: silvanamishtaku