
Nga Mira Kazhani/ Mësuesi im i letërsisë, “Presor Behari”, siç e thërrisnim të gjithë, na futi në gjak mitologjinë greke. Jetonim herë mes sandaleve me krahë të Hermesit, herë duke qeshur me ironinë e Sizifit, e gjithmonë në kërkim të Zeusit
Për njëfarë kohe besoja seriozisht se ajo botë mitike kishte ekzistuar. Jo vetëm në mendjen e Homerit.
Kur pashë Odisean në Cineplexx, m’u kujtua një orë mësimi me “Presor Beharin”. Si ato kujtime që zgjohen papritur nga një aromë apo nga një ngjarje.
Duhej të zgjidhnim heroin tonë të mitologjisë. Mes Akilit, që ishte më i votuari i vajzave, Agamemnonit, që nuk e donte pothuajse askush sepse kishte sakrifikuar të bijën, Menelaut, që e përfytyronim të bukur, por pak të ngathët, dhe Odiseut. Unë zgjodha Odiseun. Ndoshta jo sepse ishte më i miri për atë kontekst kohe e moshe, por sepse Akilin e kishin zgjedhur të gjitha. Nuk e di arsyen e saktë. Di vetëm se, kur pashë filmin e Nolanit, m’u kujtua ai episod i gjimnazit.
Pas tridhjetë vjetësh, Odiseu m’u shfaq si hero dhe antihero njëkohësisht. Si përgjigjja për dhjetëra pyetje që kam bërë ndër vite.
Mësimi më i madh është ky: ne nuk jemi kurrë në gjendje ta kontrollojmë plotësisht fatin tonë. Ka momente kur edhe heroi duhet t’i dorëzohet stuhisë dhe ta lërë rrjedhën e jetës të bëjë punën e saj.
Mbrojtja e përsosur nuk të bën fitues. Të bëjnë kurajoja dhe gatishmëria për të marrë rrezik.
Bota ndryshon vazhdimisht. Çdo brez mendon se ka ndërtuar qytetërimin më të madh. Derisa vjen një tjetër.
Jeta është pragmatike. Ndonjëherë, në vend që të qëndrosh për t’u nderuar, duhet të mendosh si të mbijetosh.
Asnjë sukses nuk është ai që na përcakton përgjithmonë. Sidomos ato fitore që ndërtohen mbi dredhinë. Ato vazhdojnë të të ndjekin perjetë.
Në film, gruaja e vrarë në muret e Trojës e shoqëron Odiseun deri në fund. Në fillim duket sikur është Athina, perëndesha e mençurisë. Por në fund kupton se është hija e tij, faji i tij, ndërgjegjja e tij.
Plagët tona janë hija jonë dhe pasqyrat ku përballim veten.
Kali i Trojës, simboli i fitores, mund të jetë edhe fillimi i kalvarit të vuajtjeve.
Ndoshta ky është edhe mësimi që më mbeti: fitoret janë të përkohshme. Pushtetet janë të përkohshme. Vetë ne jemi të përkohshëm, në dhimbjet dhe triumfet tona. Njeriu nuk është kurrë i njëjti. Ç'na ka dhënë kuptim dikur, na e merr atë sot. Dhe pikërisht këtë e kupton Odiseu gjatë gjithë udhëtimit të tij.
E bukura e këtij filmi është se secili mund ta shohë nga këndi i vet. Nuk besoj se ka një lexim të vetëm.
Secili del nga salla me Odisean e vet