Stil jete

Ornella Muti dhe vajza e saj kërkojnë shtetësinë ruse: Është pjesë e origjinës sonë

Aktorja italiane Ornella Muti dhe vajza e saj, Naike Rivelli, kanë bërë të ditur se po ndjekin procedurat për të marrë shtetësinë ruse, një dëshirë që, sipas tyre, e kanë prej kohësh.

Në një deklaratë, Naike Rivelli shpjegoi se kërkesa po formalizohet, duke theksuar se lidhja e tyre me Rusinë është e fortë si për shkak të origjinës familjare, ashtu edhe të marrëdhënieve personale dhe profesionale.

“Prej kohësh kemi menduar ta bëjmë këtë, sepse unë dhe nëna ime jemi gjysmë ruse. Punojmë shumë me Rusinë, kemi miq dhe të afërm atje. Gjyshja e nënës sime ishte nga Shën Petersburgu, ndërsa gjyshja ime ishte estoneze. Prandaj duam të kemi shtetësi të dyfishtë”, u shpreh ajo.

Gjyshja nga ana e nënës së Ornella Muti ishte me origjinë nga Shën Petersburgu dhe më pas emigroi me bashkëshortin në Estoni, ku lindi nëna e aktores, skulptorja Ilse Renate Krause, e cila u nda nga jeta në tetor të vitit 2020, në moshën 91-vjeçare.