Nga kultura e mbijetesës te kultura e qëndresës

Nga Manjola Lloja Bushati/ Sociologjia e një proteste
Dita e 56 e protestës së flamingove.
Vëzhgimi im vijon, me edhe më shumë kureshtje, por edhe me qëndrim. Komunikimi rreth kësaj proteste ka marrë një vëmendje të jashtëzakonshme. Shumë forma, shumë qëndrime, shumë përmbajtje. Nga e gjithë kjo, ajo që më bie më shumë në sy është diferenca e madhe mes brezave.
Nuk ka asgjë të re nëse themi se brezi i prindërve dhe ai i të rinjve në vendin tonë e shohin kaq ndryshe realitetin. Pyetja ime është një tjetër, më e orientuar drejt zgjidhjes: nga këto mënyra kaq të ndryshme të të parit të realitetit, çfarë duhet të zgjedhim të mbajmë dhe çfarë duhet të ndryshojmë?
Ta kuptojmë drejt. Në këtë rast, e jo vetëm, peshorja ime anon nga të rinjtë. Por, përpara se ta argumentoj këtë, dua të përpiqem modestisht të shpjegoj me fjalë të thjeshta situatën e prindërve, ashtu si e kuptoj unë.
Të rritur në mungesë lirie, prindërit e të rinjve 20–30-vjeçarë jetuan në një ekonomi mungese. Ata nuk u mësuan të besonin te institucionet dhe, kur rregullat e shoqërisë u përmbysën, mbijetesa u bë prioriteti i tyre. Shumë menduan se, për të ecur përpara, duhej të shpëtonin veten dhe familjen e tyre.
Sot mund ta kemi të lehtë t'i etiketojmë egoistë, por ata ishin njerëz që kishin jetuar për dekada pa mundësi dhe, papritur, u gjendën në një realitet që e kishin ëndërruar, por nuk e njihnin. Të lodhur nga abuzimi me "të mirën e përbashkët", shumë prej 50–60-vjeçarëve të sotëm e kthyen në parim të jetës një fjali që zor se nuk e kemi dëgjuar të gjithë: "Secili për vete."
Në përpjekjen për të parë vetëm nga vetja, gjatë viteve të gjata të tranzicionit ekonomik e shoqëror, në kulturën tonë u dobësuan gradualisht besimi, ndjenja e komunitetit, interesi publik dhe përgjegjësia qytetare. Pa e kuptuar, harruam se, kur e mira personale shkëputet nga e mira e përbashkët, në fund humbasim të gjithë.
Dhe tani janë të rinjtë që po na e "bërtasin" këtë para syve, me këmbëngulje.
Ata nuk kanë përjetuar diktaturën, as çuditë shqiptare të viteve '90 dhe fillimit të viteve 2000. Ata po rriten e formohen në një botë të hapur, me lëvizshmëri, informacion dhe internet. Prandaj e kuptojnë natyrshëm një të vërtetë të thjeshtë: nuk mund të jesh mirë vetëm brenda shtëpisë tënde.
I dëgjoj të flasin dhe të mbrojnë me pasion e argument se mjedisi është i përbashkët, ashtu si qyteti, arsimi, institucionet dhe vetë demokracia. Ata e kuptojnë se cilësia e jetës së secilit varet nga cilësia e jetës së përbashkët.
E më lejoni të them edhe një tjetër të vërtetë të thjeshtë, edhe pse ndoshta të dhimbshme për ne. Të rinjtë po e duan Shqipërinë në një mënyrë tjetër: duke besuar se ajo mund të ndryshohet dhe duke punuar që ta ndryshojnë. Në mos më fort, të paktën më me arsye e logjikë sesa ne. Atdhetarë bëhemi për ndeshje futbolli apo suksese hipotetike në garat evropiane të muzikës, por shpesh themi se "ky vend s'bëhet". Të rinjtë kanë kuptuar se vendi bëhet dhe se, në fund, atë e bëjnë njerëzit e tij.
Për këtë arsye, debati që ka ndezur kjo protestë, në bindjen time, nuk është partiak. Madje, do të ishte gabim i madh ta thjeshtëzonim në atë mënyrë. Këtu po përballemi me një ndryshim kulturor, me përplasjen mes dy mënyrave të të kuptuarit të shoqërisë dhe të zhvillimit të saj.
Dua të besoj se kjo është një shenjë e mirë. Është fillimi i të kuptuarit se mbijetesa, që na e mësoi edhe e shkuara e afërt e shoqërisë shqiptare, sot nuk mjafton më.
Nëse duam të ecim përpara, duhet të rikthejmë besimin se e mira ime nuk mund të ndërtohet mbi dobësimin e së mirës së përbashkët. Dhe këtë, të rinjtë po përpiqen të na e komunikojnë çdo ditë.
Brezi i prindërve u detyrua të mësonte kulturën e mbijetesës; brezi i sotëm po përpiqet të ndërtojë kulturën e qëndresës. Jo si refuzim i çdo ndryshimi, por si vendosmërinë për të mbrojtur interesin publik, për të mos pranuar që interesi i momentit të jetë më i rëndësishëm se interesi i përbashkët dhe që zhvillimi të ndërtohet në kurriz të së përbashkëtës.
Mbase jam shumë optimiste, por besoj se qëndresa e flamingove, qoftë në bulevardet e Tiranës, qoftë si vendosmëria për ta ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre, do të mbahet mend si momenti kur ky brez filloi t'i thoshte shoqërisë shqiptare se mbijetesa nuk është më e mjaftueshme.
Një shoqëri e pjekur nuk matet vetëm me aftësinë për të kaluar vështirësitë, por mbi të gjitha me zotësinë për të mbrojtur atë që i përket të gjithëve.
Dhe, ndoshta për herë të parë pas shumë kohësh, thirrja për më shumë pjekuri nuk po vjen nga më të rriturit. Po vjen nga të rinjtë.
Sinqerisht, është koha t'i dëgjojmë.
.